Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas vrasjes së nxënësit 14 vjeçar në Prishtinë.
Nagavci në postimin e saj në Facebook ka ngushëlluar familjen duke thënë se tragjeditë si kjo e sotmja, ku ne humbëm një nxënës, janë alarm për gjithë shoqërinë që të bashkëpunojmë ngusht për të mirën dhe sigurinë e fëmijëve tanë!
Jam e tronditur thellë nga ngjarja ku mbeti i vdekur nxënësi 14 vjeçar në Prishtinë. Kjo është një ditë e rëndë, një trishtim e dhembje e madhe që e ndjen secili prind, secili qytetar i Kosovës.
Sot, zemrat tona janë me familjen e nxënësit që u nis, por nuk arriti në shkollë!
Nga vizita në shkollë dhe në familje, në komunikim me organet e rendit, u sigurova se hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë dhe presim që shpejt të zbardhet rasti.
Si nënë, si mësimdhënëse, e si ministre, i lus të gjithë mësimdhënësit dhe prindërit që të punojnë edhe më shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve, të jenë të kujdesshëm për sjelljet që mund të manifestojnë ata, t’i adresojnë problemet dhe vështirësitë që kanë dhe të kujdesemi për sigurinë e fëmijëve tanë.
Si Qeveri e Kosovës, bashkë me organet kompetente të sigurisë, po punojmë që të krijojmë sa më shumë siguri për fëmijët në shkollë, në rrugë e kudo.
Puna jonë në këtë drejtim synon mekanizma koordinues funksional në nivel qendror, komunal e në nivel shkolle; sistem funksional të paralajmërimit të hershëm të braktisjes, parandalim të dhunës dhe dukurive negative; vetëdije të ngritur të institucioneve shkollore e komunale për adresimin sistemor të problemeve që e sfidojnë zhvillimin e fëmijëve; rritje e cilësisë së të dhënave për fëmijët braktisës, ata që janë në rrezik për braktisje, etj.
Tragjeditë si kjo e sotmja, ku ne humbëm një nxënës, janë alarm për gjithë shoqërinë që të bashkëpunojmë ngusht për të mirën dhe sigurinë e fëmijëve tanë!
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, shokëve, kolektivit të shkollës!
Pusho në paqe, Rijad Hyseni!