Në Parlamentin Evropian, në Strasburg të Francës, u zhvillua takimi VIII i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.
Ky takim u zhvillua në dy sesione të ndara, në të cilat u diskutuan tema të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Kosovës si dhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në sesionin e parë të KPSA-së, i cili u mbajt më 9 mars 2022, fillimisht u diskutua mbi marrëdhëniet BE-Kosovë, ku në emër të Qeverisë së Kosovës për një shkëmbim pikëpamjesh mori pjesë zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, z. Besnik Bislimi, pasuar nga fjalimet e Shefit të Njësisë për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën, z. Vassilis Maragos dhe Shefes së Divizionit për Ballkanin Perëndimor, në emër të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, znj. Elsa Fenet.
Në pjesën e dytë të këtij sesioni u diskutua mbi progresin e arritur një vit pas zgjedhjeve në Kosovë, në reformat që lidhen me integrimin në BE, duke përfshirë situatën e komuniteteve pakicë. Mbi këtë temë, nga Kuvendi i Kosovës të pranishmëve iu adresua deputetja Mimoza Kusari-Lila, njëherësh bashkëkryesuese e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, si dhe deputetët Enis Kervan dhe Pal Lekaj.
Pjesa e tretë e këtij sesioni pati nën fokus temën e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe rrugën përpara. Në kuadër të këtij diskutimi, deputetët Avdullah Hoti dhe Haki Abazi, nëpërmjet fjalimeve të tyre sqaruan pozicionimin e Kosovës në këtë dialog, të arriturat dhe sfidat përgjatë këtij procesi.
Ndërsa, më 10 mars 2022 vazhdoi sesioni dytë i këtij takimi ndër-parlamentar, nën kryesimin e Bashkë-kryesueses së këtij Komisioni të përbashkët Parlamentar BE-Kosovë, Mimoza Kusari-Lila, e cila në hapje të takimit adresoi situatën në Ukrainë dhe kërkoi të mbahet një minutë heshtje për viktimat e agresionit rus.
Sesioni i dytë pati për fokus krizën energjetike dhe efektin në rimëkëmbjen pas-pandemike, Presidencën Franceze, politikën e zgjerimit dhe mundësitë e Kosovës, Vitin Evropian të Rinisë 2022 dhe Konferencën mbi të Ardhmen e Evropës.
Ky sesion filloi me fjalimin e deputetit Armend Muja i cili shtjelloi çështjen e krizës energjetike, së bashku me deputetin Elmi Reçica, njëherësh zëvendëskryesues i delegacionit të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, deputetet Ariana Musliu-Shoshi dhe Fitore Pacolli-Dalipi diskutuan mbi Presidencën Franceze dhe mundësitë që Kosova mund të përfitojë nga ky kryesim.
Ndërsa, deputetët Driton Hyseni dhe Armend Zemaj përfunduan diskutimin duke iu adresuar Komisionit në lidhje me Vitin Evropian të Rinisë 2022 dhe Konferencën mbi të Ardhmen e Evropës.
Ky takim u mbyll me votimin e Deklaratës së Përbashkët në mes të Parlamentit Evropian dhe Parlamentit të Kosovës, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.