Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se Drejtoria e Inspekcionit sot gjatë ditës ndërmori një aksion që kishte për qëllim lirimin e parkingjeve dhe hapësirave publike të gjelbëruara të cilat ishin uzurpuar dhe dëmtuar njëkohësisht nga qytetarë të ndryshëm në Bllokun e Vjetër të Prishtinës.
Gjatë këtij aksioni, Drejtoria e Inspekcionit, pas lirimit të plotë të parkingjeve dhe hapësirave të gjelbëruara, me mbështetje edhe të NPL “Hortikultura” ka rivitalizuar sipërfaqet e dëmtuara para banesave në këtë zonë, duke pastruar, mbjellë bari e fidane të ndryshme, thuhet në postimin në Facebook të Komunës së Prishtinës.