Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, priti sot në takim Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të prirë nga Mimi Kodheli, kryetare e këtij komisioni.
Ky takim, i cili u zhvillua në një frymë vëllazërore, u kryesua nga Haki Abazi, kryetar i Komisionit, i cili pasi falënderoi mysafirët për vizitën, vuri në pah nevojën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërmjet të dy komisioneve.
Kryetari Abazi nënvizoi se “pavarësisht çështjeve që mund të mos pajtojmë, ato që na bashkojnë mbesin dominante dhe të patjetërsueshme në rrugëtimin tonë të përbashkët në procesin e integrimit euro-atlantik”.
Edhe kryetarja e Komisionit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli, vlerësoi lart bashkëpunimin e gjertanishëm ndërmjet të dy vendeve, me theks të veçantë atë ndërmjet të dy komisioneve. Ajo u shpreh e bindur se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen, sidomos në fushën e diplomacisë parlamentare.
Në vijim të takimit, temat që dominuan gjatë debatit ishin: lufta në Ukrainë dhe ndikimi i saj në rajon, integrimet euro-atlantike të rajonit, bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë, si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Për sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, bashkëbiseduesit vlerësuan se efektet e saj janë duke u ndier në ngritjen e çmimeve në shumë artikuj ushqimorë, në naftën dhe derivatet e saj, si dhe në furnizimin me energji elektrike. Ndërkaq u shprehën optimistë se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet qeverive përkatëse do gjejnë zbatim të tërësishëm gjatë një së ardhmeje të afërt.
Duke analizuar mundësitë e bashkëpunimit edhe të mëtutjshëm ekonomik, përfaqësuesit e të dy komisioneve vlerësuan se ai duhet të jetë edhe më i madh duke hequr barrierat që mund ta pengojnë atë.
Për sa i përket çështjes së sigurisë, ndërkaq, u vlerësua se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe prezenca e KFOR-it në Kosovë, janë garanci e një stabiliteti për të dyja vendet, por, megjithatë, u tha në takim, situata duhet të vlerësohet me kujdes, në një kohë kur ende nuk dihet se si do të përfundojë agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.