Build Skills with our trainings

Sign up now!

Në mes frikës dhe nevojës për blerje ushqimore në kohë pandemie

Kor 28, 2020

Siguria ushqimore ka qenë dhe po vazhdon të mbetet një ndër problematikat kryesore në vendin tonë.

Ushqyerja është një ndër faktorët më të rëndësishëm të jetës së njeriut, andaj edhe konsumatorët kanë filluar të vetëdijesohen lidhur me rëndësinë dhe rreziqet që vijnë nga konsumimi i ushqimeve të pasigurta, jo të shëndetshme apo edhe të skeduara.

Te ne, siguria ushqimore mbetet një problematikë që kërkon zgjidhje prej vitesh, por frika e paniku në konsumatorë ndaj produkteve ushqimore u bë më e dukshme gjatë muajit mars ku edhe u përhap COVID-19 e shkaktuar nga SARS-COV-2.

Kujtojmë se pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës – IKSHPK më 13 mars 2020 i bëri publike dy rastet e para me Covid-19, të menjëhershme ishin edhe masat mbrojtëse ndaj virusit. Nga kjo datë edhe Kosova u ballafaqua me të infektuar, shëruar dhe të vdekur nga pandemia globale, Covid-19.

Tutje, situata me pandemi nxiti mijëra konsumatorë të vërshojnë marketet për të grumbulluar rezervat ushqimore. Fluks i madh i konsumatorëve u vërejt menjëherë pas rasteve të para me të infektuara nga Covid-19, vazhdoj edhe më tej gjatë izolimit (karantinës) si dhe tani duket se gjithçka është normalizuar.

Frika se ushqimi do të mbarojë dhe se nuk mund të ketë më ushqim të sigurt në treg, ishin mendimet e disa qytetarëve të cilët të ushqyerit në kohë pandemie e kishin marrë me frikë dhe panik.

Emine Pajazitaj, banore në Mati 1 thotë se gjatë kohës me pandemi është kujdesur shumë në blerjet e ushqimeve dhe mënyrën e të ushqyerit. Si çdo banor tjetër i Kosovës edhe 68 vjeçarja është frikësuar nga siguria, cilësia dhe rezervat e ushqimeve si pasojë e pandemisë.

Që nga fillimi i përhapjes së virusit jam munduar të kujdesem në atë se çfarë blejë gjithashtu edhe se çfarë gatuaj. Mundohem të ushqehem shëndetshëm, por ushqimet tona në markete nuk janë të sigurta, sidomos tani në pandemi ku si rrezik shihet përhapja e virusit, por edhe në rezervat e shtetit kam pas dyshime, për fat të mirë ushqimi deri më tani nuk ka munguar ndërsa siguria mbetet në pikëpyetje”, tha ajo.

Ndryshe, pensionistja theksoi se paniku e kishte shtyrë t’i grumbullonte rezervat ushqimore gjatë kohës së pandemisë.

Për frika më e madhe ishte infektimi me virus, andaj u vetëizolua për të mbrojtur vetën dhe familjen e saj.

Për herë të parë kur e kuptova se virusi ka prekur edhe Kosovën shkova drejt tek marketi dhe grumbullova ushqime, kryesisht mora gjëra të cilat më nevojiteshin për më gjatë,  e grumbullova ushqimin dhe u izolova në banesë sepse kisha frikë se mos infektohesha me virus dhe mos infektoja familjen”, tha Pajazitaj.

Sipas World Health Organization, çdo vit në gjithë botën ushqimi i pasigurt i shkakton 600 milionë raste të sëmundjeve me prejardhje nga ushqimi dhe 420,000 vdekje.

Genta Jusufi, banore e Lagjes Muhaxher, po ashtu thotë se paniku i njerëzve në Kosovë dhe botë e kishte shtyrë që të t’i grumbullonte rezervat ushqimore në kohë pandemie për familjen.

Që nga dita kur bota dhe Kosova u përfshi me të infektuar, unë dhe babi jemi interesuar me ble produkte ushqimore pak ma shumë dhe me afate më të gjata”, tha ajo.

Kjo 18 vjeçare prishtinase tha se frika më e theksuar sa i përket ushqimeve ishte te prekja, meqë sipas saj çdo produkt ushqimor në market rrezikonte përhapjen e virusit.

Frika ka qenë te personat e të infektuar që pa e ditur se janë të infektuar mund të shkojnë në market dhe të prekin ushqimet, pastaj ne mund të prekim atë produkt dhe kështu mund të infektohemi dhe ne, ushqimet në markete ende nuk janë të sigurta”, ka thënë Jusufaj.

Në bazë të IKSHPK, më 16 korrik 2020 teksa po shkruhej ky artikull, ishin shëruar 95 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më këtë ditë është gjithsej 2.640 raste, kurse numri i rasteve me vdekje 124.

Petrit Shabani, menaxher në Albi Market thotë se produktet ushqimore janë të sigurta dhe se nuk ka nevojë për shqetësim nga konsumatorët, sipas tij gjatë pandemisë është menaxhuar mirë situata.

Ai thotë se fluksi i konsumatorëve kishte qenë nga fillimi i muajit mars dhe se tani është një rënie drastike. Sipas tij, frika dhe paniku për përhapjen e virusit i ka bërë qytetarët të mos dalin për të bërë “pazar” si më parë.

Tek ne siguria ushqimore është e garantuar, nuk kemi pasur diçka për tu shqetësuar në lidhje me produktet ushqimore, as frikë nuk ka pasur në konsumator, të paktën unë nuk kam vërejtur. Gjatë kohës me pandemi konsumatorët kanë zgjedhur të blejnë ushqime të ndryshme, kryesisht konserva, pasta, kryesisht produkte me afate më të gjata. Ndërsa, numri i konsumatorëve ka renë shumë në krahasim me më herët, kjo ndoshta ka ndikuar nga frika dhe paniku i qytetarëve që kanë pasur këto ditë nga të infektuarit me Covid-19”, tha Shabani për KosovaLive.

Se numri i konsumatorëve është zvogëluar dukshëm e thotë edhe Kosovare Salihu, menaxhere në Viva Fresh.

Ajo thekson se gjatë muajit shkurt dhe mars, numri i konsumatorëve kishte qenë shumë i madh ndërsa tani dukshëm vërehet rënia e tyre.

Salihu tregon se situata nga përhapja me pandemi që nga fillimi është menaxhuar mirë dhe se nuk ka pasur shqetësime ndër konsumatorë për produktet ushqimore.

Tani numri i konsumatorëve vërehet se është zvogëluar shumë. Shkurt-mars kemi pasur rritje të konsumatorëve. Situata me pandemi është menaxhuar mirë, ankesa nuk kemi pasur nga konsumatorët, mendoj se ka qenë situatë e vështirë po e kemi menaxhuar mire”, tha Salihu.

Ali Hajdari, banor i lagjes Dardania thotë se në fillim për rezervat ushqimore gjatë kohës së pandemisë ishte një situatë e vështirë, si lloj lufte, por pastaj u normalizua. Frikë për të ishte, “siguria dhe ushqimi i mjaftueshëm për popullatën”.

“…Në fillim mu ka dukur si luftë, shihja shumë njerëz pranë marketeve me produkte të shumta ushqimore dhe higjienike, frika tek unë qëndronte se nga blerjet e shumta të produkteve ushqimore dhe higjienike, marketet tona do të zbrazeshin dhe në kohë pandemie do të përballeshim me rrezikun e ushqimit. Frika tjetër ishte se edhe përmes produkteve virusi mund të kaloj në njerëz. Tani e shoh gjendjen e normalizuar, uroj të mos ndodh më një gjë e tillë. Uroj që Kosova të e kaloj sa më shpejt Covid-19”, tha Hajdari.

Ndryshe pensionisti thotë se patjetër duhet t’i aplikojmë rregullat mbrojtëse nga IKSHKP-ja sepse virusi është akoma prezent.

Neve si qytetarë na mbetet t’i përmbahemi rregullat nga IKSHPK-ja, virusi është ende në Kosovë”, shtoi ai.

Sipas IKSHPK-së, bartja e maskave mbetet akoma obligative.

Ndryshe, në Kosovë numri i rasteve me të prekur me Covid-19 është në rritje.  Vetëm në ditën tek sa po shkruhej ky artikull numri total i të prekurve me Covid-19 në Kosovë ka shkuar në 5.472 raste nga 30.005 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Numri total i rasteve pozitive është 5.472 raste nga 30.005 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 124 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në komunikatë.

Sipas nutricistit, Mërgim Mestani, ushqimi dhe të ushqyerit në Kosovë ende mbetet sfidë e pa zgjidhur.

Sipas tij, Covid-19 ka ndikuar dukshëm në jetesën e atyre familjeve me financa më të ulëta, kurse paniku dhe frika i ka shtyrë mijëra qytetar të grumbullojnë ushqime për rezervat gjatë muajve në kohë pandemie.

Ndryshe, ai rekomandon se në situata të tilla duhet të konsumohen ushqime të shëndetshme për ngritje të imunitetit.

“Përhapja e pandemisë COVID-19, ka ndikuar drejtpërdrejtë në mënyrën e jetesës së njerëzimit në përgjithësi dhe në veçanti të familjeve me të ardhura të ulëta financiare. Mungesa e informacionit të plotë, paniku i krijuar dhe të hyrat e ulëta financiare kanë dërguar sinjale që njerëzit të planifikojnë dietat e tyre ushqimore konform situatës duke mos llogaritur në komoditetin e përzgjedhjes së ushqimeve të shëndetshme ndërsa ushqimet e shëndetshme në një situatë të tillë janë të rëndësishme në forcimin e sistemit imunitar për t`u përballur sa më lehtë me Covid-19”, tha Mestani për KosovaLive.

Nutricisti thekson se përveç emergjencave shëndetësore në kohë pandemie, e rëndësishme është edhe kujdesi dhe vëmendja e industrisë ushqimore. Ushqimet më të sigurta gjatë pandemisë janë: ushqimet me prejardhje bimore e shtazore, kryesisht në ato bimore më të preferuarat janë frutat dhe perimet. Sipas tij, në kohë pandemie në të ushqyer pak më shumë duhet të kenë kujdes personat që janë të dobët në sistemin imunitet.

Gjatë pandemisë CoVid-19 përveç emergjencës shëndetësore vëmendje duhet kushtuar edhe industrisë ushqimore, e sidomos aspektit tek të ushqyerit në kohë pandemie. Dieta ushqimore duhet të jetë e balancuar dhe mirë e kombinuar në raporte të barabarta midis prodhimeve ushqimore me prejardhje bimore dhe atyre me prejardhje shtazore. Për personat me sistem imunitar të dobësuar, rekomandohet konsumimi i frutave dhe perimeve në veçanti ushqimeve me përmbajtje të theksuar të vitaminës C, roli i të cilës njihet në forcimin e sistemit imunitar”, tha ai.

Mestani sqaron se deri më tani nuk është vërtetuar se virusi bartet edhe nga produktet ushqimore.

Edhe përkundër rritjes se kërkesave ushqimore në kohën e pandemisë, në studimet e deritashme nuk është gjetur një  lidhje midis sëmundjes së shkaktuar nga ky virus dhe transmetimit të tij nëpërmjet ushqimit”, shtoi nutricisti.

Mestani gjithashtu thotë se niveli i konsumimit të prodhimeve vendore ka rezultuar me rritje, por ende mbetet përmisimi i cilësisë së produkteve nga ana e prodhuesve.

Ndryshe ai përmend edhe çmimet e produkteve vendore.

Në bazë të statistikave në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, niveli i konsumimit të prodhimeve vendore po rritet gjithnjë e më shumë, por që shumica e konsumatorëve të përfshirë në hulumtime kanë sugjeruar që cilësia e produkteve ushqimore vendore duhet të përmirësohet si dhe ofertat nga ana e prodhuesve vendore të jenë më të larmishme. Një element që e cenon seriozisht cilësinë dhe sigurinë ushqimore të prodhimeve vendore e sidomos në kohë pandemie është edhe konkurrenca e padrejte, sidomos në mes të prodhimeve vendore dhe atyre të importuara nga vendet e ndryshme rajonale dhe më gjerë”, theksoi ai.

Kurse sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës – ASK, në tremujorin e parë të vitit 2020, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2.59%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (- 7.76%).

Ndërkaq, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 0.13%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit  2019.

Nutricisti Mërgim Mestani rikujton se ushqimi në jetën e njeriut ka rëndësi të madhe, andaj cek edhe agjencitë kompetente të cilat merren me sigurinë e ushqimit në vend, e të cilat sipas tij do të duhej që të kontrollonin të gjitha ushqimet, për t’i siguruar konsumatorët në atë se çfarë blejnë.

…Për arsye të përmbajtjes së materieve ushqyese siç janë proteinat, karbohidratet, yndyrat, mineralet, vitaminat etj, roli i ushqimit për organizmin e njeriut është shumë specifik. Siguria e ushqimit është e lidhur ngushtë me jetën e shëndetshme të secilit prej nesh. Siguria e ushqimit duhet të ofrohet nga organet përgjegjëse shtetërore nëpërmes kontrolleve që ato bëjnë në të gjithë zinxhirin ushqimore dhe i njoftojnë konsumatorët se ushqimi në treg është i sigurt dhe i gatshëm për konsum. Siguria e ushqimit përfshinë tërë zinxhirin ushqimor, nga faza e prodhimit, përgatitjes, trajtimin, transportin dhe ruajtjen e ushqimit me qëllim të parandalimit të rrezikut nga sëmundjet që vijnë nga ushqimi, agjencia përgjegjëse për të kontrolluar dhe siguruar ushqimin është AUV, sqaron Mestani.

Nutricisti, gjithashtu përmend edhe raportin e auditimit, 2019 nga ZKAK-ja, ku theksohet se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk e ka funksional sistemin e sigurisë në gjithë sistemin zinxhirorë të ushqimit.

Ai shton se po ashtu mungon akreditimi i laboratorit për t’i kryer analizat e nevojshme të ushqimit, qëdo të thotë se siguria e ushqimit në Kosovë është në pikëpyetje.

“Raporti i auditimit i vitit 2019, nga zyra kombëtare e auditimit në Kosovë, ka nxjerrë në pah se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk e ka plotësisht funksional sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor. Për më tepër, as laboratori i ushqimit dhe veterinarisë nuk është i akredituar për të gjitha analizat e nevojshme për siguri në ushqim. AUV, ende nuk i ka kompletuar procedurat dhe standardet e nevojshme për të siguruar se inspektorët sanitar dhe fitosanitar janë duke kryer kontrolle zyrtare në pajtim me standardet e sigurisë për ushqim.AUV akoma ka shumë për të bërë, në mënyrë që prodhimet vendore të jenë sa me konkurrente në tregun ushqimore dhe konsumatorët të jenë të sigurt në atë që e blejnë. Bashkëpunimi në sektorin ushqimor si dhe monitorimi i vazhdueshëm i sigurisë dhe cilësisë ushqimore nga institucionet shtetërore, janë parakushte për një sistem të qëndrueshëm të zinxhirit ushqimore”, përfundon nutricisti, Mërgim Mestani.

ZKAK më  2019, ka monitoruar dhe analizuar punën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Sipas raportit, AUV nuk ka dal me rezultate të kënaqshme ndaj sigurisë së ushqimit në Kosovë.

Gjithashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë, ka rekomanduar AUV-n që të kryejë kontrolle më cilësore në industrinë e ushqimit në Kosovë, në të mirë të shëndetit të konsumatorëve.

“Përmes Zyrës së Kryeministrit të sigurojë transferin e inspektorëve komunal në Agjenci të Ushqimit dhe Veterinarisë. Kjo duhet të bëhet, me qëllim të eliminimit të kontrolleve të dyfishta dhe mbulimin e tërë zinxhirit ushqimor, duke filluar nga industritë e mëdha ushqimore deri tek ato që ofrojnë ushqim me pakicëTë sigurojë se procedurat standarde të operimit shpërndahen dhe i komunikohen të gjitha njësive përgjegjëse për zbatimin e tyre; Të plotësojë regjistrimin e tërë bizneseve që janë në sektorin e ushqimit në mënyrë që të sigurojë se e tërë industria është nën mbikëqyrjen e tyre duke siguruar që kjo bazë e të dhënave të jetë e azhurnuar gjatë gjithë kohës, dhe Të kryejnë kontrolle cilësore, duke siguruar zbatimin e parimeve të Analizës së Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik (HACCP), të cilat janë bazë për të ofruar siguri në ushqimin që ofrohet për konsumatorë”, thuhet në raportin e ZKAK-së në vitin 2019.

Kurse, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veteranisë, Lamir Thaçi thotë se AUV masat mbrojtëse ndaj Covid-19 i ka marrë serioze. Sipas tij, AUV po vazhdon kontrollet e ushqimeve në mënyrë intensive për sigurinë e konsumatorëve.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është duke zbatuar në përpikëri të gjitha vendimet dhe rekomandimet e nxjerra nga Qeveria e Republikës se Kosovës si masa në parandalimin e përhapjes se sëmundjes Korona Virusit. Me të gjithë inspektorët jemi vendosur në shërbim të marrjes se veprimeve në fushën e kontrollit sanitar, veterinarë dhe fitosanitar për të ruajtur sigurinë ushqimore në vazhdimësi dhe kontrolluar aspektet teknike sanitare dhe higjienike të hapësirave të cilat qëndrojnë të hapura dhe i shërbejnë publikut”, tha ai.

Thaçi thekson se nuk ka bartje të virusit përmes produkteve ushqimore, por praktikat përmes rekomandimeve nga IKSHPK-ja assesi nuk duhet t’i harrojmë.

“Bazuar në ECDC (Qendrën Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve) në të cilën thirret edhe Komisioni Evropian, nuk kanë marrë masa mbrojtëse për ushqim dhe tregti, (sipas vlerësuesve të rrezikut nga këto institucione) nuk ka raste të shpërndarjes së sëmundjes përmes ushqimit apo mallrave tjera. Deri me tani nuk ka prova që ushqimi është një burim i mundshëm ose rrugë e transmetimit të virusit. Konsumatorët duhet t’i ndjekin praktikat e mira të higjienës gjatë manipulimit me ushqim, duke përfshirë edhe gatimin ( higjiena në kuzhina), si dhe personat qe kanë rezultuar pozitiv ti ndjekin rekomandimet e IKSHPK-së, gjatë kohës sa janë në kontakt me ushqime”, shton Thaçi.

Ai i siguron qytetarët se AUV është duke punuar ndaj kontrolleve të ushqimit në gjithë Kosovën. Sipas tij kontrollet e ushqimeve në Kosovë ngjasojnë me ato të BE-së.

 “Të gjitha zyrat regjionalë janë duke punuar me kapacitet të plotë, kudo kemi të vendosur inspektor të cilët gjatë gjithë kohës janë në teren nëpër pika shitëse. Jemi duke kryer kontroll 100%  në import të çdo ngarkese të produkteve ushqimore që hynë në vend. Njëkohësisht të gjithë operatorëve të biznesit të cilët eksportojnë jemi duke u kryer shërbimin e kontrollit mostrimit dhe pajisjes me certifikata të eksportit në të gjitha zyrat tona. Kontrolli i ushqimeve është duke vazhduar me frekuencë të shtuar duke përcjell edhe të gjitha njoftime qe vijnë nga organizatat ndërkombëtare. Ushqimet në Kosovë kontrollohen njëjtë sikurse edhe ne vendet e BE-së, kemi ligjedhe procedura të njëjta kontrolli”, theksoi ai.

Thaçi thotë se askush nuk guxon të manipuloj më ushqimet e skeduara apo jo të shëndetshme, e drejta e konsumatorit zbatohet dhe mbrohet me ligj.

Ai apelon qytetarët që t’i aplikojnë masat mbrojtëse dhe rekomandimet nga Qeveria.

“Të gjitha ankesat e konsumatorëve rreth sigurisë ushqimore apo higjienës në hapësirat të cilat qëndrojnë të hapura për të ju shërbyer qytetarëve jemi duke i trajtuar me urgjencë. Në secilin rast ku vërtetohen shkeljet janë ndërmarr masat konform ligjeve në fuqi, ndaj të gjithë shkelësve do të jemi të pa kompromise. Në çfarëdo situate askush nuk ka të drejtë të vë në treg produkte jo të sigurta sepse në ketë mënyrë ai rrezikon shëndetin e të tjerëve.  U bëjmë apel të gjithëve që t’i ndjekin dhe ti zbatojnë masat dhe rekomandimet e qeverisë, të gjithë kemi obligim për ta ruajtur shëndetin e tonë dhe tjetrit”, përfundon Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV.

Ndërsa sipas Ardriatik Stavileci, zyrtar për informimim në Doganën e Kosovës vendi gjatë periudhës me pandemie është ballafaquar me rënien e importit. Rreth 200 milionë euro Kosova ka shënuar ulje në importi, kryesisht në produktet e luksit.

 “Në përgjithësi mund të thuhet se kemi pasur ulje të importit për rreth 200 milionë euro, disa produkte kanë vazhduar normalisht importin p.sh ushqimet, produktet të cilat kanë pasur ulje kanë qenë kryesisht ato të cilat ne i konsiderojmë të luksit”, ka theksuar Stavileci për KosovaLive.

Të hyrat nga Dogana e Kosovës, e mbulojnë buxhetin total të Republikës së Kosovës me 60%, e vetëm vitin e kaluar, (2019) shuma e të hyrave doganore në Kosovë ka qenë 1,179 milion euro apo 95.40 %, ndërsa vlera e gjithmbarshme e importit mbi 3,47 milionë.

Shqipdona Gashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM