Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim delegacionin e nivelit të lartë nga Komisioni Evropian.
Delegacioni kryesohej nga Vassilis Maragos, Shef i Njësisë për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.
Në takim u bisedua mbi programin e IPA 2023 dhe informimin rreth mundësive për përfitim nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) duke përfshirë garancitë bankare dhe zhvillimin e sektorit privat dhe koordinimin e veprimeve në nivel bilateral mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Institucionet e Kosovës kanë përgatitur projektet e reja për të cilat po diskutohet gjatë kësaj jave të qëndrimit të delegacionit në Kosovë. Këto projekte do të përfshihen në IPA 2023 e do t’i përkasin fushave dhe sektorëve të ndryshëm si sundimi i ligjit, punësimi, administrata publike, digjitalizimi i qeverisjes, mjedisi e programi “Natura 2000”, energjia, arsimi, kultura dhe punësimi përmes skemës për garanci të të rinjve në VET (sistemin dual shkollor).
KE përshëndeti përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të prezantuar projekte të ndërlidhura me prioritetet e Integrimit Evropian, me tranzicionin Energjetik dhe Mjedisor, në përputhje me dokumentet strategjike të BE-së për rajonin si dhe projekte relevante për vitin 2023 e tutje.
Po ashtu, u ofrua ndihma përmes instrumenteve shtesë siç janë TAIEX dhe Twining por edhe asistencë teknike të shpejtë për t’iu përgjigjur nevojave imediate për arritjen e masave kyçe në kuadër të Reformave të Agjendës Evropiane.
Nga programet IPA 2021 dhe IPA 2022, Kosova tashmë ka programuar dhe do të përfitojë përkatësisht 63,96 milionë euro dhe 70,25 milionë euro, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.