Në vazhdën e nderimeve për dëshmorët dhe martirët të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Andin Hoti dhe disa prej ministrave të kabinetit qeveritar, sot, në përvjetorin e 23-të masakrës së Mejës në Gjakovë, nderoi 377 martirët e kësaj masakre, 18 prej të cilëve ishin nën moshën 18 vjeçare.
Pasi bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial, kryeparlamentari Konjufca theksoi se masakra e Mejës është masakra më e madhe në Kosovë.
“Në Mejë mund ta gjeni të gjithë popullin e Kosovës të masakruar. Por, fatkeqësia më e madhe është se kjo plagë vazhdon të jetë e hapur, për shkak se ende nuk kemi drejtësi”, theksoi Konjufca.
Për më tepër, kryetari Konjufca tha se familjet jetojnë me ankthin e përditshëm.
“Sot, në Ditën e të Zhdukurve me Dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, ne nuk e dimë ku prehen trupat e tyre. Po një gjë dihet saktësisht, ata i mori shteti gjenocidal i Serbisë.
Institucionet janë duke bërë dhe do të vazhdojnë të bëjnë çdo gjë që është e mundur që Serbia të japë përgjegjësi për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë”, tha ndër të tjera kryetari Glauk Konjufca.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës, në ditët përkujtimore si kjo, në njërën anë ndjejnë pikëllim, në anën tjetër ndihen krenarë, sepse pa sakrificën dhe rezistencën e popullit shqiptar nuk mund të vinte liria, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.