Në këtë takim të vlefshëm, në kuadër të bashkëpunimeve të mira me Bashkimin Evropian, sot ministrja Haxhiu priti ambasadorin e BE-së, Tomáš Szunyog, me të cilin diskutuan për rëndësinë e Kodit Civil, njëkohësisht të cilësuar si një nga dokumentet më të rëndësishme pas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ministrja Haxhiu falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në hartimin e këtij dokumenti, si dhe përfaqësuesit e Projektit për Mbështetje nga BE, ekspertët ndërkombëtarë dhe vendorë të angazhuar për punën e tyre.
Gjatë këtij takimi, ministrja Haxhiu shprehu edhe njëherë zotimin se, mbetet e përkushtuar për t’i shtyrë përpara proceset e reformave në Drejtësi, dhe se në këtë drejtim Kodi Civil mbetet prej proceseve më të rëndësishme dhe si i tillë do të vazhdojë të trajtohet me prioritet deri në miratimin e tij, thuhet në postimin në Facebook të MD-së.
ju falëminderit për praninë tuaj në këtë konferencë të përbashkët me Ambasadorin e BE-së, z. Szunyog, me rastin e përfundimit të Projektit për mbështetjen e Kodit Civil, që për nga rëndësia hierarkike e dokumenteve, radhitet menjëherë pas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Para këtij adresimi, së bashku edhe me Ambasadorin, mbajtëm takim me të gjithë akterët që kanë qenë të involvuar në procesin e draftimit të Kodit Civil, të cilët shfrytëzoj rastin t’i falënderoj përsëri për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin e lartë që e kanë dhënë gjatë tërë procesit.
Rëndësia e kodifikimit të domenit civil ka rëndësi imanente për sistemin tonë të drejtësisë, andaj edhe e kemi trajtuar me prioritet qysh nga dita e parë e mandatit tonë.
Është e vlefshme t’ju informoj se dispozitat dhe normat që janë përpiluar në Kodin Civil, janë tejet të avancuara dhe të harmonizuara plotësisht me linjën e standardeve më të fundit që i kanë paraparë shtetet e Bashkimit Evropian në fushën civile.
Ndihma shumëdimensionale e Zyrës së BE-së ka qenë faktor i rëndësisë së veçantë për institucionin tonë përgjatë secilës fazë të tërë procesit, për çfarë, edhe këtu para jush, dëshiroj ta falënderoj përzemërsisht Ambasadorin Szunyog.
Sigurisht se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në shumë projekte e fusha të tjera, dhe duke qenë ngushtë të bashkërenduar, jam e sigurt se do të shënojmë shumë suksese të tjera të përbashkëta.