Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim njoftues shefen e Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali.
Teksa i dëshiroi mirëseardhje Vakali, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të tyre nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve.
Kryeministri Kurti kërkoi që Greqia t’ju bashkohet shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ambasadorja Vakali tha se është e nderuar për detyrën që ka marrë dhe se Greqia është mike e sinqertë dhe e fuqishme e Kosovës. Edhe pse ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Greqia ka arritur të zhvillojë marrëdhënie bilaterale pa kurrfarë problem, theksoi Vakali.
Ajo u shpreh e impresionuar me potencialin e madh që ka Kosova dhe mundësitë që ekzistojnë për bashkëpunimin bilateral. Ambasadorja e vlerësoi angazhimin e qeverisë për vlera demokratike dhe për rezultatet në luftimin e korrupsionit.
Kryeministri Kurti dhe ambasadorja Vakali u pajtuan që duhet të vazhdojnë projektet e përbashkëta në arsim e kulturë dhe në organizimin e radhës të forumit ekonomik, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.