Pavijoni i Kosovës po përfaqësohet me ekspozitën e artistit Jakup Ferri ”The Monumentality of the Everyday”, kuruar nga Inke Arns me komisionere Alisa Gojani-Berisha, organizuar nga Ministria e Kulturës.
Me 20, 21 dhe 22 prill është mbajtur parahapja e Bienales së Venecias, gjatë së cilës me mijëra vizitorë e kanë parë nga afër ekspozitën e artistit Ferri në ambientin e pavijonit të Republikës së Kosovës.
Përveç ekipit organizues, gjatë parahapjes së Bienales ka qenë prezent edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili së bashku me Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, kanë takuar zyrtarë qeveritarë dhe diplomatë nga shumë shtete të botës. Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola, kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Kulturë, Eliza Hoxha dhe Vlora Dumoshi, anëtare të komisionit.
Pavijoni i Republikës së Kosovës u vizitua nga shumë zyrtarë qeveritarë, ndër të tjerë Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi, Elva Margariti, Ministre e Kulturës e Shqipërisë, Alain Berset, Ministër i Kulturës i Zvicrës, Andrea Mayer, Sekretare Shteti e Ministrisë së Kulturës së Austrisë, Vasko Simoniti, Ministër i Kulturës i Sllovenisë dhe Manuel Frick, Ministër i Kulturës i Lihtenshtajnit. Pavijonin e Kosovës e vizitoi edhe Presidenti i Bienales së Venecias, Roberto Cicutto, i cili u prit nga ministri Çeku dhe ambasadorja Haxhitasim.
Ambasadorët e shteteve mike me të cilët është takuar ministri Çeku janë: SH.S. Monika Schmutz Kirgöz, Ambasadore e Zvicrës në Itali, SH.T. Ömer Gücük, Ambasador i Turqisë në Itali, SH.T. Viktor Elbling, Ambasador i Gjermanisë në Itali, SH.S. Milena Sofranac Ljubojevic, Ambasadore e Malit të Zi në Itali, SH.S. Anila Bitri Lani, Ambasadore e Shqipërisë në Itali, SH.T. Vesel Memedi, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Itali, SH.T. Thomas Smitham, I Ngarkuar me Punë në Ambasadën Amerikanë në Itali, dhe SH.T. Tomaž Kunstelj, Ambasador i Sllovenisë në Itali.
Gjithashtu, Ministri Çeku ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të pavijoneve të shumë shteteve; Shqipërisë, Zvicrës, Polonisë, Ukrainës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Me ftesë të ministrit italian të kulturës, Dario Françeskinit, ministri Çeku ishte pjesë e grupit prej 20 ministrash nga vende të ndryshme që vizituan pavijonin e Ukrainës në shenjë solidariteti me popullin ukrainas.
Në hapjen e pavijonit të Republikës së Kosovës morrën pjesë me qindra artdashës, gazetarë dhe artistë. Në mesin e artistëve të pranishëm ishin edhe Sislej Xhafa, Edi Muka, Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Alban Muja, Adrian Paci e shumë të tjerë.
Me 23 mars janë hapur dyert e Bienales për të gjithë vizitorët e interesuar për të parë nga afër ekspozitat e ndryshme dhe Ministria e Kulturës ju fton për të vizituar ekspozitën ”The Monumentality of the Everyday” nga Jakup Ferri, e cila do të jetë e hapur deri me 27 nëntor 2022, thuhet në faqen zyrtare të MKRS-së.