Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot fshatin Sopi të Komunës së Suharekës, ku filluan korrje-shirjet e grurit.
Së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kryeministri vizitoi fermerin Fazli Beqiraj i cili posedon rreth 60 hektarë grurë.
U tha se në saje të thjeshtëzimit të procedurës së aplikimit, janë rritur edhe sipërfaqet e mbjella. Këtë vit presim rendiment më të lartë po ashtu, për shkak të kushteve të volitshme klimatike që kanë mbizotëruar në vendin tonë.
U theksua se falë mbështetjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, bujqit në Kosovë janë më të përkrahurit, krahasuar me vendet e rajonit. Një hektar me grurë këtë vit subvencionohet me rreth 474 euro, duke përfshirë për herë të parë subvencionimin e vlerës së akcizës së naftës prej 0.36 cent si dhe plehërimin pranveror me 150 euro për hektarë. Poashtu, bujqit kanë mundësinë e subvencionimit për rendiment të grurit me 0.03 cent për kilogram, përmes dorëzimit në mullinj.
Kultura e grurit ka një rritje prej 216% të mbështetjes financiare krahasuar me qeverisjet e kaluara. Qeveria e Republikës së Kosovës, ka prioritizuar bujqësinë duke rritur përkrahjen deri në 52 milionë euro për Programin e Pagesave Direkte, Subvencioneve 2022, u tha gjatë kësaj vizite, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.