Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me nderimet më të larta shtetërore me rastin e përmbylljes së mandatit të tij, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.
Pas kësaj ceremonie, presidentja Osmani dhe presidenti Meta kanë mbajtur takim, ndërkaq në fund u janë drejtuar mediave.
Presidentja Osmani ka thënë se me presidentin Meta kanë diskutuar për rëndësinë jetike të thellimit të marrëdhënieve vëllazërore në mes të dy shteteve tona, konsolidimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e ndërsjellë për të ardhmen tonë euroatlantike.
“Me Presidentin Ilir Meta, i cili po qëndron në Kosovë me rastin e përmbylljes së mandatit të tij, diskutuam për rëndësinë jetike të thellimit të marrëdhënieve vëllazërore në mes të dy shteteve tona, konsolidimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e ndërsjellë për të ardhmen tonë euroatlantike”, ka theksuar Osmani.
Presidentja Osmani i ka shprehur mirënjohje të thellë presidentit Meta për mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
“Presidentit Meta i shpreha mirënjohje të thellë për mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe për përpjekjet e tij të vazhdueshme për ta forcuar edhe më shumë partneritetin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë presidentja Osmani.