Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, me ftesë të Institucionit të Presidentit ka marrë pjesë sot në inaugurimin e Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presidentja Osmani në emër të qytetarëve të Kosovës, i ka përcjellë urimet më të sinqerta për suksese në këtë detyrë të rëndësishme Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, thuhet në faqen zyrtare të Zyrës së Presidentes.
“Jam e bindur se do të intensifikojmë bashkëpunimin, jo vetëm në raportet vëllazërore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe sa i përket rrugës sonë të përbashkët euro-atlantike”, ka thënë presidentja Osmani.