Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur.
Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.
Policia e Kosovës bën të ditur se referuar informacioneve zyrtare të deritanishme, vazhdojnë bllokimet e rrugëve në disa lokacione të ndryshme në Veri të Mitrovicës në drejtim të dy pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat pika janë mbyllur për qarkullim.
Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për ndonjë plagosje të qytetarëve apo të ndonjë zyrtari policorë, andaj ftojmë dhe iu bëjmë thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve që të mos bien pre e informacioneve-lajme të rreme, të cilat kanë tendencë destabilizimin e situatës dhe krijimin e panikut.
Policia e Kosovës vazhdon angazhimet e saja me njësitet policore, në ofrim e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.