Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se është shkarkuar kryeshefi ekzekutiv të NPL “Prishtina Parking”, Liridon Restelica.
Rama në postimin e tij në Facebook ka thënë se në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL “Prishtina Parking” ka konstatuar se veprimet e kryeshefit ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking”.
Vendimi për shkarkimin nga pozita e kryeshefit Ekzekutiv, Liridon Restelica, hyn në fuqi sot, me datë 22.08.2022.






