Është caktuar masa e paraburgimit ndaj të miturve G.J dhe XH.S për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të dhunimit.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturve G.J dhe XH.S për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të Dhunimit.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të miturve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj një të miture dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia, ekziston rreziku që të njëjtit do ti asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandalojë të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, thuhet në postimin në Facebook të Gjykatës Themelore Prishtinë.