Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kryeministri Kurti: Na duhet drejtësi për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës

Gus 30, 2022

Ballafaqimin me të kaluarën e kemi vënë si kapitull të veçantë në kornizën e përgjithshme qё do duhej ta përfshinte marrëveshja finale me Serbinë. Nuk mund të ecim drejt të ardhmes, pa e adresuar të kaluarën, pa u ballafaquar me të, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij, në shënimin e Ditës ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë.

Ai ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar dhe po angazhohet për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur në Kosovë, pa dallim etnie, prejardhje e komuniteti.

Do të donim që këtë ta bënte Serbia, pra të ballafaqohej me të kaluarën e saj. E ta trajtonte seriozisht se si u bë që pas rënies së Millosheviqit u zbuluan pesë varreza të mëdha masive atje, me gjithsejtë  950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak, tha kryeministri.

Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës në Kosovë, theksoi kryeministri Kurti, duke shtuar se dhe 23 vite pas, nuk tregon gatishmëri për nënshkrimin e marrëveshjes së propozuar, që do të kontribonte në zbardhjen e fatit të qytetarëve të Kosovës të zhdukur me dhunë.

Na duhet drejtësi për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës, dhe për çdo minutë të pritjes në ankthin më të tmerrshëm pas luftës. Ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi, tha Kryeministri Kurti.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, si dhe Flaka Zogu dhe Gramoz Berisha, në emër të familjarëve të personave të  zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

Po takohemi sot këtu, në shënim të Ditës ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë.

 

Në dhjetor të vitit 2010, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e shpalli 30 gushtin – Ditën ndërkombëtare të viktimave të zhdukjeve me dhunë. Kjo nismë filloi nga shoqatat e familjarëve të Amerikës Latine, që kërkonin zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre të rrëmbyer e të zhdukur me dhunë.

Është shumë e gjerë harta e kësaj dhimbje. Ashtu siç është shumë e thellë therrja e po kësaj dhimbje.

 

Nga anekënd botës, sot bashkohen thirrjet e familjarëve, shoqatave e shteteve për të vërtetën.

Shteti ynë, Qeveria e Republikës së Kosovës, janë të përkushtuar dhe po angazhohen për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur në Kosovë, pa dallim etnie, prejardhje e komuniteti.

 

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999, u regjistruan 6057 persona të pagjetur sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Sot, ende janë 1617 të pagjetur, shumica dërrmuese shqiptarë, por ka edhe serbë, romë e të tjerë. Të gjithëve, pra secilit duhet t’i zbardhet fati. Pa përjashtim, pa diskriminim.

 

Ballafaqimin me të kaluarën e kemi vënë si kapitull të veçantë në kornizën e përgjithshme qё do duhej ta përfshinte marrëveshja finale me Serbinë. Nuk mund të ecim drejt të ardhmes, pa e adresuar të kaluarën, pa u ballafaquar me të.

 

Do të donim që këtë ta bënte Serbia, pra të ballafaqohej me të kaluarën e saj. E ta trajtonte seriozisht se si u bë që pas rënies së Millosheviqit u zbuluan pesë varreza të mëdha masive atje, me gjithsejtë 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak.

 

Por, Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës në Kosovë. Edhe 23 vite pas, nuk tregon gatishmëri për nënshkrimin e marrëveshjes së propozuar, që do të kontribonte në zbardhjen e fatit të qytetarëve të Kosovës të zhdukur me dhunë. Jemi mbledhur sot këtu për të pagjeturit.

 

Ata janë shumë dhe neve na mungojnë shumë. Ata na përcjellin gjithmonë. Nuk na braktisën kurrë. Ata u rrëmbyen. Ata nuk u kthyen. Disa na u kthyen pjesërisht, si mbetje mortore. Të plota janë veç kujtimet, malli, pritja dhe dhimbja. U ndanë me familjet, por nuk na u ndanë kurrë nga zemrat dhe nga mendjet tona. Ne nuk i harruam sepse ne nuk mund t’i harrojmë.

 

Ata janë me ne në përditshmërinë tonë. Por na mungojnë në gëzimet e gjithë këtyre viteve. Na mungojnë në tryezat e ushqimeve, por nuk mungojnë asnjëherë në tavolinat e vendimeve. Çfarëdo vendimi që marrim sjellim ndër mend që ne jemi Kosova e të pagjeturve, Kosova e të zhdukurve me dhunë. Shumë u kthyen siç nuk i prisnim, eshtra. Dhe ne ende i presim.

 

Ka shkuar shumë kohë dhe koha nuk kthehet mbrapa. 23 vjet më vonë nënave nuk u mungojnë vetëm fëmijët, por edhe fëmijët e fëmijëve. Edhe ata që nuk arritën të lindin. Një nënë që sot vajton në vetmi e pret djemtë e zhdukur me forcë, do të ishte një gjyshe në një shtëpi plot zhurmë nga jeta e nipërve dhe stërnipërve, e mbesave e stërmbesave.

 

Ditën sot ne e nisëm në shtëpinë muze të familjes Qerkezi, në Gjakovë. Nëna Ferdonije ka ruajtur gjithçka të mbetur nga të gjithë familjarët e saj të zhdukur. Ajo nuk i ruan këto për kujtime, se në mendje i ka të gjitha. As ne nuk e vizitojmë që t’i kujtojmë, sepse nuk i harrojmë. Ai vend na shërben si dëshmi që politikat gjenocidale mbrohen ende. Askush nuk i ka kërkuar falje nënës Ferdonije. 

Askush nuk i ka dhënë asaj përgjegjësi. As nënës Nysrete, nënës Luljetë dhe shumë e shumë nënave të tjera.

 

Nënat, baballarët, familjarët, qytetarët e Kosovës përbuzen për vuajtjet që ende kalojnë për shkak të luftës prej atyre që i kryen apo i përkrahen krimet ndaj tyre. Fëmijët që kurrë s’i njohën prindërit, që ua rrëmbyen bashkë me të drejtën për të përjetuar dashurinë e tyre. U rritën pa ta. E dhimbja e tyre rritet kur krimet mohohen, apo edhe vetëm kur minimizohen ato.

 

Kërkim falja dhe pendimi nuk e dimë se sa e zvogëlojnë dhimbjen e prindërve që kërkuan e kërkojnë fëmijët e tyre. Por mos kërkim falja e dimë që e rrit dhimbjen. Mos pendimi e thellon vuajtjen dhe zemërimin. Njohja e krimeve të kryera në Kosovë nga Serbia është minimumi i një politike njerëzore, pra kundër politikave gjenocidale.

 

Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë. Bota nuk duhet t’i harrojë asnjëherë. Na duhet drejtësi për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës, dhe për çdo minutë të pritjes në ankthin më të tmerrshëm pas luftës. Ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi.

 

Ju falemnderit të gjithëve për angazhimin që bëni dhe për qëndresën që treguat.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM