Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj me qëllim të diskutimit të gjendjes së krijuar si pasojë e grevës së shpallur në të gjitha nivelet në arsim.
Kryetari Abdixhiku ka dëgjuar kërkesat e tyre si dhe ka shprehur qëndrimin se, LDK konsideron që dialogu mes sindikatave dhe Qeverisë është i domosdoshëm në një shoqëri demokratike. Ai ka theksuar se është tepër e nevojshme që palët të dialogojnë në mënyrë që sa më parë nxënësit të kthehen në shkollë, ndërsa mësimdhënësve t’u kthehet dinjiteti. Dialogu në këtë fazë është i domosdoshëm sepse ata janë njerëzit e qytetarët tanë dhe penalizimi në këtë krizë të rëndë ekonomike është gjëja e fundit që i duhet këtij vendi.
Kryetari Abdixhiku ka theksuar edhe dyshimin për penalizimin e mësimdhënësve gjatë muajit gusht, kur nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor si dhe ka shprehur shqetësimin për dënimin kolektiv ndaj të gjithë mësimdhënësve që është duke u bërë.
Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar t’i dëgjojë të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e mësimdhënësve tanë si dhe ta ngris zërin në institucionet shtetërore që kjo gjendje e rëndë e krijuar nga paaftësia qeverisëse të tejkalohet sa më parë, thuhet në komunikatën për media e LDK-së.




