Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, mbajti sot konferencë për media.Në këtë konferencë ministri Sveçla foli rreth mbarëvajtjes së zbatimit të vendimit për regjistrimin e veturave dhe kalimin e targave ilegale në ato të Republikës së Kosovës si dhe për fushatën intensive të MPB-së në lidhje me këtë çështje.
Me këtë rast, ministri Sveçla ka bërë thirrje për qytetarët e Republikës së Kosovës që të mos frikësohen nga kërcënimet për ndërrimin e targave ilegale në ato RKS.
Ministri Sveçla theksoi edhe rastin e parmbrëmshëm që ka ndodhur pas mesnatës nga disa persona të paidentifikuar të cilët kanë thyer e pastaj djegur shtëpinë e rreshterit Dragan Nikoliq, i cili targat e veturës së tij i kaloi në RKS. Sipas ministrit, këta persona veprojnë nën direktiva të Vuçiqit të cilët synojnë të ndjellin frikë dhe panikë me qëllim të destabilizimit të vendit tonë. Sulmi ndaj zyrtarëve policor është sulm ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Tashmë ekipet hetimore të Policisë së Kosovës janë duke hetuar dhe duke punuar që personat e involvuar në këtë rast kriminal të vihen para drejtësisë. Unë ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të mos hezitojnë t’i drejtohen MPB-së që të lajmërojnë çfarëdo kërcënimi.
Ne jemi këtu që të garantojmë që rendi dhe ligji të sundoj në çdo cep të Republikës dhe me çdo mjet legal do të luftojmë të gjitha krimet”, tha ministri Sveçla.
Gjithashtu ministri Sveçla gjatë kësaj konference shtoi se pavarësisht tentativave për frikësim, procesi i regjistrimit të veturave dhe dorëzimi i targave ilegale do të vazhdojë deri me 31 tetor.
Pas kësaj date, veturat me targa ilegale nuk mund të lejohen të hyjnë në Republikën e Kosovës apo të qarkullojnë brenda saj dhe në këto raste do të veprohet sipas legjislacionit në fuqi. Prandaj, ai ka ftuar të gjithë shtetasit tanë që të shfrytëzojnë këtë rast i cili do të jetë i vetëm, që pa ngarkesa financiare dhe procedura të thjeshtuara të regjistrojnë veturat e tyre.
Në këtë konferencë ministri Sveçla, dha informacione shtesë edhe rreth rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, ku u zotua se po punohet intensivisht nga të gjithë mekanizmat e MPB-së për zbardhjen e këtij rasti. Tashmë, është angazhuar edhe Inspektoriati Policor i Kosovës që të gjithë zyrtarët policor të përfshirë në këtë rast të ftohen në cilësinë e dëshmitarit, thuhet në komunikatën për media e MPB-së.




