NË VENDIN E NGJARJES: Çfarë janë pritjet e serbëve dhe shqiptarëve nga gjykata e përbashkët në Mitrovicë?
Mitrovicë – Vuk Jeremic /Danas/– Ankthi, mosbesimi dhe lufta për ruajtjen e pozicioneve vetanake. Kjo është atmosfera në të cilën serbët nga veriu i Kosovës presin gjykatën në Mitrovicë e cila, sipas marrëveshjeve nga Brukseli, do të duhej të fillonte nga puna këtë shtator. Që nga përfundimi i konfliktit më 1999, serbët dhe shqiptarët në veri, fal marrëveshjes që e kanë nënshkruar liderët e tyre politik, do të kërkojnë drejtësinë nga institucioni të cilët edhe njëra edhe tjetra palë e pranojnë si të veten. Megjithatë, sikur edhe me gjëra të tjera këtu, pritjet e juristëve nga hapja e kësaj gjykate dallojnë diametralisht varësisht nga ajo se në të cilën anë të Ibrit gjenden.
Marrëveshja e Brukselit mbi gjyqësinë e kanë nënshkruar në shkurt të këtij viti kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vučić dhe Isa Mustafa. Me të është paraparë themelimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë që do të vendoset në dy ndërtsa. Një pjesë e gjykatës do të jetë në ndërtesën ekzistuese në veri të qytetit, ndërkohë që pjesa tjetër do të jetë në ndërtesën e Jugobanka-s në jug të urës mbi Ibër. Krahas gjykatës, marrëveshja nga Brukseli nënkupton se nga shtatori do të fillojë punën edhe Zyra Themelore e Prokurorisë, që po ashtu do të vendoset në veri të Mitrovicës.
CILAT JANË KOMPETENCAT?
Në ndërtesën e gjykatës në veri do të punojnë 10 gjykatës shqiptarë dhe 14 gjykatës serbë. Kjo gjykatë do të ketë kompetenca për vepra të rënda penale, krim të përgjithshëm dhe materje civile. Gjykata themelore në jug të Mitrovicës do të jetë kompetente për vepra më të vogla penale, delikuencën e të miturve dhe çështjet gjyqësore dhe aty drejtësinë do ta ndajnë 14 gjykatës shqiptarë dhe 11 gjykatës serbë. Në çdonjerën nga ndërtesat do të punojnë nga 54 punëtorë të komunitetit shumicë dhe 26 të komunitetit pakicë. Krahas kësaj, gjykata do të ketë nëndegë edhe në Zubin Potok dhe Leposaviq, komuna me shumicë serbe dhe në to do të punojnë nga dy gjykatës serbë dhe shtatë punëtorë personali.
Në prokurori do të punojnë 18 prokurorë, nga nëntë nga çdo anë. Në veri do të jetë edhe dega e Gjykatës së Apelit në të cilën do të funksionojnë dy gjykatës shqiptarë dhe pesë të nacionalitetit serb. Dhoma e Gjykatës së Apelit do të jetë instancë e dytë në të gjitha kontestet ku palët janë serbët dhe në gjykatat e tjera në Kosovë.
Kryetari i Gjykatës Themelore do të jetë serb, prokurori kryesor shqiptar, ndërkohë që në krye të degës së Gjykatës së Apelit po ashtu do të jetë një serb. Gjykimet do të kryhen në bazë të ligjeve të Kosovës. Dhe, mu prej kësaj të fundit më së shumëti druan komuniteti serb në veri.
Në Mitrovicë çdo gjë, pra edhe ligji, shikohet përmes perspektivës së konfliktit etnik. Rrjedhimisht edhe ankthi se gjykata e përbashkët që do të gjykojë sipas ligjeve të Kosovës do të shfrytëzohet si dorë e zgjatur e politikës kosovare e cila perceptohet si anti-serbe. Por, askush nga komuniteti gjyqësor në veri të Mitrovicës nuk do ta thotë këtë publikisht. Arsyeja është se frika nga përfshirja në institucionet kosovare zbehet në përballje me frikën nga humbja e vendit të punës, e Marrëveshja e Brukselit pa dyshim ofron vende pune.
“Me pranimin e Marrëveshjes së Brukselit ne kemi gjetur mënyrën si të luftojmë përmes institucioneve. Ose je pranë tavolinës ose je mbi tavolinë”, na thotë një burim i cili është njohës i çështjeve të gjyqësisë në veri të Kosovës. Kushti për bisedë, kuptohet, është anonimiteti.
Edhe pse institucionet gjyqësore të Kosovës kahë organizuar konkurse për plotësimin e vendeve në gjykata dhe prokurori në mënyrë që nominalisht të zgjidhen kuadrot më cilësore, zbatimi i kësaj është jashtëzakonisht jotransparent.
E jotransparenca është një klimë e shkëlqyeshme për caktimin e personave të përshtatshëm politikisht. Nga burime të informuara mirë kuptojmë se vendet në gjykata thuajse janë plotësuar, por siç na është thënë, nuk është me rëndësi vetëm të caktohen njerëzit, por të caktohen njerëzit përkatës.
E arsyeja për vendosjen e “personave përkatës” është mu pse pushteti gjyqësor shihet si fushëbetejë politike. “Është shumë me rëndësi që me marrëveshje i kemi fituar vendet kontrolluese në Gjykatën e Apelit. Ata neve dhjetë vjet, ne atyre tri vjet. Ata neve një vepër të rëndë penale, ne e ndërrojmë cilësimin”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
NJË VARG PYETJESH MBESIN TË HAPURA
Nënshkrimi i marrëveshjes, të cilën liderët politik nga të dy anët, siç pritej, e kanë paraqitur si fitoren e tyre, ka lënë shumë çështje të hapura në të cilat është thuajse e pamundur të merret përgjigja nëpër rrugë zyrtare. Një nga to është se çfarë do të ndodh me gjykatësit serbë të cilët nuk duan të integrohen? Në Kushtetutën e Serbisë qartas shkruan se funksioni i gjykatësit është i përhershëm dhe rrjedhimisht shteti duhet t’u gjejë vendin edhe atyre të cilët nuk pranojnë të gjykojnë sipas ligjeve të Kosovës. Sipas fjalëve të bashkëbiseduest tanë, asnjëri që nuk e dëshiron këtë, nuk do të detyrohet të integrohet. Ai pohon se me zyrtarët serb është arritur marrëveshja që për këta individë të silet ligji që gjykatësve nga Kosova do t’u mundësojë të shkojnë në pension të parkohshëm. Këtë pension do të duhej ta paguante Serbia dhe ajo do të i shte në shumën 90 për qind nga rroga që e marrin tash.
Këto ngatërresa ligjore i përcjellin edhe ata gjykatës që do të pranojnë të gjykojnë sipas ligjeve kosovare. Shpeshherë është ngritur pyetja nëse ata do të duhet të bëhen shtetas në mënyrë që të merren me punën e tyre?
“Ma çfarë nënshtetësie, çfarë betimi, asgjë s’do të ketë nga kjo. Atyre (zyrtarëve kosovarë) u intereson instanca e fundit, e kjo është të gjykohet sipas ligjeve të Kosovës”, është decidiv bashkëbiseduesi ynë.
Nga ana tjetër, në gjykatën në Vushtrri, që gjendet në jug të lumit Ibër, e përjashtojnë mundësinë se implementimi i marrëveshjes së Brukselit do të shfrytëzohet për diskriminim ligjor të qytetarëve të nacionalitetit serb.
Kada Bunjaku Përquku, kryetare e Gjykatës Themelore në Vushtrri, thotë për Danas se puna e gjykatës së përbashkët do t’i kontribuojë rregullimit ligjor të jetës në tërë Mitrovicë.
“Integrimi i drejtësisë në Republikën e Kosovës nuk ka për synim diskriminimin e një grupi qytetarësh të Republikës së Kosovës meqë ligji në sistemin tonë gjyqësor i trajton të gjithë barabartë”, thotë Bunjaku Përquku.
Ajo shton se me faktin se gjykatat në veri nuk kanë funksionuar në tetë vitet e kaluara, janë dëmtuar të gjithë qytetarët e këtij rajoni, shqiptarë e serbe, dhe se rrjedhimisht, me integrimin e gjykatave, diskriminimi do të eliminohet tërësisht.
“Ne nuk shikojmë a është pala në lëndë e nacionalitet serb a shqiptar, të gjtihë janë të barabartë para gjyqit, në kuadër të të drejtave që u takojnë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjit në fuqi”, thekson bashkëbiseduesja jonë.
RASTI “IVANOVIĆ”
Megjithatë, do të nevojitet shumë më shumë se fjalë që qytetarët e nacionalitet serb të binden në paanshmërinë e gjykatës së re. Që të fitohet besimi në rregullimin e ri gjyqësor, ligji duhet të jetë i verbër ndaj nacionalitetit të qytetarëve e ai, së paku sipas perspektivës së serbëve, ende nuk është. Rasti që më së miri e ilustron ankthin e qytarëve të nacionalitet serb se gjyqësia e integruar do të jetë vazhdim i luftës politike me mjete të tjera, është gjykimi i Oliver Ivanovic-it.
Ivanovic, ish sekretar shtetëror në “Ministrinë për Kosovë e Metohi” në qeverinë e Mirko Cvetkovic-it dhe lider i iniciativës qytetare SDP (Sloboda, Demokratija, Pravda) është arrestuar më 27 janar 2014 me akuzën se më 14 prill 1999 dhe 3 shkurt 2000 ka kryer krime lufte kundër banorëve civil dhe ka nxitur për vrasje të shumë shqiptarëve në Mitrovicë. Me të janë arrestuar edhe katër qytetarëve të tjerë të nacionalitet serb. Për serbët nga veriu, Ivanovic pa dyshim është lider i vetëm politik “i cili ka ditur të artikulojë interesat e serbëve të Kosovës” dhe dikush që ka mundur edhe t’i kundërshtojë Beogradit, nëse ka konsideruar se ai punon kundër këtyre interesave.
Ai tash së voni ishte në grevë urie mbi dy javë në mënyrë që t’i mundësohet gjykimi nga liria. Pa sukses, meqë Gjykata e Apelit në Prishtinë refuzoi ankesën në vendimin mbi vazhdimin e paraburgimit. Nëse gjykohet nga Dhoma ndërkombëtare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Ivanovic do të mund të dënohej edhe me burg të përjetshëm.
Për avokatin e tij Djordje Vlajic, gjykimi i Ivanovic-it është politikisht i motivuar.
“Unë nuk mund të dij me siguri se a ka motiv politik në prapavijë, por prokurori nuk ka ofruar asnjë provë me të cilën arsyetohet aktakuza. Nëse aktakuza nuk bazohet në arsyet ligjore, mbesin vetëm arsyet politike”, thotë Vlajic.
Sipas tij, asnjëri nga dëshmitarët e prokurorisë, e deri tash gjatë gjykimit kap pasur mbi dyzet, nuk i ka konfirmuar pohimet nga aktakuza.
“Madje as njerëzit të cilët në konflikt kanë humbur anëtarë të familjes dhe dëshmitarët identiteti i të cilëve ka qenë i mbrojtur nuk kanë mund të thonë se Ivanovic kishte marrë pjesë në krime lufte”, thotë Vlajic.
Për të nuk ka dilemë, aktgjykimi ndaj klientit të tij do të tregonte qartë se çfarë mund të presin serbët nga funksionimi i gjykatës së re të përbashkët.
“Nëse Oliver Ivanovic-in e dënojnë vetëm me një ditë burg, kjo do të jetë shenjë se çdonjëri prej nesh në cilindo moment mund të arrestohet”, thotë qartas Vlajic.
NUK KA ALTERNATIVË
Në një situate të tillë, ku çdo zhvillim shikohet përmes dimensionit etnik, është vështirë të pritet se qytatarët nga veriu i Kosovës do të pranojnë, pa rezervë, sistemin e ri juridik. Plagët janë tepër të freskëta, e mosbesimi është i rrënjosur thellë. Megjithatë, alternativa e vërtetë për gjykatën e re nuk ekziston. Qytetarët e dijnë mire se sa (pa)siguri ligjore kanë pasur në vitiet pas konfliktit. Siç na kanë thënë shumë njerëz, pas luftës në praktikë në veri kanë funksionuar dy gjyqe, një në veri dhe tjetri në jug. Ai në veri, ka pasur besimin e qytarëve të nacionalitet serb dhe ka pasur, në harmoni me mundësitë modeste, një dëshirë të sinqertë për punë, por nuk ka pasur policinë që do të zbatonte vendimet e gjyqit.
Nga ana tjetër, gjykata në anën tjetër të qytetit ka pasur organet e forcës, por kryesisht vetëm i ka renditur lëndet, pa marrje veprimi, duke e ditur se nuk gëzon legjitimitet në very. Dhe, përderisa të gjithë merreshin me politikë të lartë dhe me çështje statusore, ky paradox e ka lënë veriun e Kosovës në një anarkit të polotë juridike.
A do të përmirësojë gjykata gjendjen në këtë fushë mbetet të shihet. Kjo, fundja, para se gjithash varet nga bartësitë e funksioneve gjyqosëre dhe vullnetit dhe mundësisë se tyre që t’i rezistojnë politikës. Nëse do të jenë të barabartë para ligjit, qytetarët e të gjitha nacionaliteteve do të kenë besim në gjykatën e re, e mandej do të jetë më pak e rëndësishme se kush i përket cilit nacionalitet.
(Ky tekst është realizuar në kuadër të projektit Kosovo Serbia: LIVE të cilin e financon Bashkimi Evropian në kuadër të Mbështetjes Shoqërisë Civile 2013. Përmbajtja e kësaj storjeje dhe qëndrimet e paraqitura në të janë përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.)