Mungesa e mbështetjes shtetërore, e drejta e edukimit dhe infrastruktura janë disa ndër problemet kryesore, me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në Kosovë. Shuma e vogël që iu ofrohet si ndihmë nga shteti, nuk u mjafton për t’i mbuluar as 20 % të shpenzimeve. Janë familjet e tyre që detyrohen të paguajnë për gjithçka u nevojitet. Rinor Gashi, koordinator i shoqatës HandiKOS tregon për vështirësitë, me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara.
“Vështirësitë që hasin sot personat me aftësi të kufizuara janë nga më të ndryshmet. Duke filluar nga mungesa e mbështetjes së pamjaftueshme shtetërore, e cila tani është vetëm përmes skemave pensionale dhe mbështetjes finaciare modeste. Personat me aftësi të kufizuara kanë vështirësi edhe në qasshmërinë në objekte dhe infrastrukturë. Ka shumë vështirësi edhe në edukim, ku personave me aftësi të kufizuara u mohohet e drejta për arsim, sidomos në atë obligativ”, thotë Rinori.
Personat me aftësi të kufizuara detyrohen t’i mbulojnë vet shpenzimet e tyre, ngase mbështetja financiare shtetërore është e pamjaftueshme për nevojat e tyre.
“Shteti ofron pensione për personat me aftësi të kufizuara (për moshat nga 18-65 vjeç), i cili aktualisht është në shumën 75 Euro. As për së afërmi nuk i mbulon nevojat dhe shpenzimet e një personi me aftësi të kufizuara. Kjo skemë e pensionit nuk ka vlerësim për nevojat dhe specifikat e personave me aftësi të kufizuara, por bëhet vetëm një vlerësim i paaftësisë për punë dhe të gjithë përfituesit e pensionit në mënyrë lineare gëzojnë pensionin e njëjtë, pavarësisht se disa persona kanë nevoja dhe shpenzime më të mëdha. Aktualisht këtë pension e marrin rreth 18.000 persona (persona me aftësi të kufizuara dhe persona tjerë me sëmundje të rënda kronike)”, deklaroi Rinori për Kosovalive.
Një shqetësim tjetër janë fëmijët (1-18 vjeç) me aftësi të kufizuara, për të cilët shuma prej 100 euro është e pamjaftueshme për nevojat dhe shpenzimet e tyre.
“Po ashtu edhe kjo shumë ndahet njëjtë për çdo fëmijë që i plotëson kriteret ligjore, pavarësisht se disa nga fëmijët janë me kufizime më të rënda, me nevoja dhe shpenzime shumë më të mëdha se shuma që ofron shteti. Aktualisht këtë mbështetje e marrin rreth 3.000 familje që kanë apo kujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuara”, deklaroi ai.
Shoqata HandiKOS zhvillon aktivitete të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara, por edhe ofron mbështetje si pajisja me karroca dhe dhe me mjete të tjera ndihmëse.
“HandiKOS si shoqatë zhvillon aktivitete të ndryshme, të cilat mundësohen vetëm përmes projekteve të financuara nga donatorët që kryesisht janë të jashtëm. Aktivitetet kryesore janë shërbimet e rehabilitimit primar për fëmijët me aftësi të kufizuara të ofruar nga degët tona në 15 komuna të Kosovës. Jemi të vetmit që ofrojmë karroca dhe pajisje tjera ndihmëse. Në fushën e avokimit, jemi duke punuar në drejtim të bindjes së qeverisë për aprovimin e projektligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, si grupi më i rrezikuar në mesin e personave me aftësi të kufizuara”, thekson Rinor Gashi.
Por që nga viti 2013 projektligji për të drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik nuk është miratuar ende. Ky projektligj për shkak të shpërbërjes së Kuvendit në maj 2014 u bart në sesionin tjetër politik, por vazhdon edhe sot pa kaluar në parlament. Ndonëse Ligji për të Drejtat dhe Statusin e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik është njëri ndër kushtet për anëtarësim në BE, në vendin tonë nuk është miratuar ende. Çështja e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik është e rregulluar ligjërisht në të gjitha vendet në Evropë e gjithashtu është e rregulluar edhe në Shqipëri.
HandiKOS dhe KMDLNj kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës të miratojë sa më herët projektligjin, duke shtuar se vonesa e tij përbën shkelje të të drejtave të njeriut.
“Ju njoftojmë se nëse projektligji për të drejtat dhe statusin e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik nuk aprovohet nga Qeveria në afatin sa më të shkurtër, ne do të jemi të shtyrë të shprehim pakënaqësinë tonë edhe në forma tjera në realizimin e të drejtave tona njerëzore, demokratike dhe ligjore”, tha Afrim Maliqi nga HendiKOS.
HandiKOS (Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës) është themeluar në vitin 1983, me iniciativën e Halit Ferizit së bashku me një grup të qytetarëve me aftësi të kufizuara.
/Nita Ismaili “ Vajzë dëgjohu”/