Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pse dhe ku me ardh n’Prishtinë?

Sht 22, 2015

Edhe sot, ashtu si çdo ditë tjetër sheshi i qytetit të Prishtinës gumëzhinte nga njerëzit, në mesin e të cilëve kishte edhe turistë.

Për Ksenija Horvat nga Zagrebi është hera e parë që po e viziton kryeqytetin e Kosovës. Ajo ka tri ditë që gjendet këtu dhe shprehet e habitur me vendet e bukura që ka Prishtina.

“Unë kam hezituar ta vizitoj Prishtinën, sepse kam menduar që nuk ofron kushte për turistët. Mirëpo, miqtë më kanë treguar se Prishtina ka njerëz mikpritës, objekte kulturore interesante dhe mbi të gjitha lokale të natës, ku mund të kënaqesh shumë. Prandaj kam ardhur dhe po e shoh që ata kanë pasur të drejtë. Çka është më e mira, çmimet janë të volitshme”, thotë Ksenija, e cila sapo kishte dalë nga një “fast food” që gjendet në shesh.

Derisa po shikonte një kostum të veshjeve kombëtare të ekspozuara në një tendë përballë hotelit “Grand”, e kënaqur dukej edhe turistja Clara Bernhart nga Graci. Sipas saj, përshtypjet që i ka fituar nga Prishtina janë pozitive dhe ndryshojnë nga imazhi i krijuar prej të “arriturave” në politikë.

Nuk kam menduar që do të më pëlqejë kaq shumë ky qytet. Kam hipur në katin e fundit të katedrales, ku shihej pothuajse tërë Prishtina. Dje isha në Gërmi për ecje, kishte gjelbërim, restorante të bukura me tarraca të mëdha, një pishinë e mbushur plot njerëz. Ndërtesa ku gjendet “United Colors of Beneton” ka një arkitekturë të ngjashme me ndërtesat tek ne,” shprehet ajo.

Nga të dhënat e ofruara nga zyra e Divizionit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për KosovaLive thuhet se të ardhurat nga turizmi në buxhetin e Kosovës për vitin 2014 kanë arritur shumën rreth 500 milionë euro, gjë që sipas tyre ka efekt pozitiv në bilancin e pagesave të Kosovës.

Bazuar në vendin e origjinës së turistëve, sipas këtyre të dhënave Shqipëria është në vendin e parë me 9,262 ose 15% të të gjitha vizitave ndërkombëtare në Kosovë në vitin 2014, e ndjekur nga SHBA, Gjermania, Turqia, Zvicra, Sllovenia, Britania e Madhe dhe e fundit është Italia me 3%.

Sipas Divizionit të Turizmit, Prishtina është qyteti më i vizituar i Kosovës nga turistët ndërkombëtarë. Ata thonë se 81% e turistëve e kanë vizituar Prishtinën, kryesisht për shkak të turizmit afarist.

Iniciativa e rrjeteve sociale – Së fundmi, në rrjetet sociale është ndërmarrë iniciativa “Ku me ardh n’Prishtinë?”, qëllimi i së cilës është promovimi i vendeve të Prishtinës përmes fotove që i postojnë qytetarët, shumë prej të cilave janë nga lokalet dhe restorantet.

Specialitetet e kuzhinës turke, asaj italiane, madje edhe kineze janë pjesë e menyve të restoranteve të Prishtinës. Pica e “Napoli-t”, hamburgerët e “Aba-s” dhe “Skenda-s”, sandviçi i “Agora-s” janë vetëm një pjesëz e tërë atyre ushqimeve zakonisht pikante, që mund t’i shijoni këtu bashkë me ushqimet tradicionale si flija dhe byreku, të cilat i gjeni në secilën furrë.

Pas përfundimit të ushqimit, pihet kafeja. Makiatot e përgatitura në lokalet e Kosovës janë cilësuar nga “Yahoo” si më të mirat në botë, madje ua kalojnë edhe atyre italiane.

Tavernat “Tirona”, “Dardha”, “Sofrabezi”, “Swiss” e të tjera ofrojnë mundësi për të shijuar një darkë të këndshme, shpeshherë e shoqëruar me muzikë live. Ndërsa, në shërbim të qejflinjëve janë lokalet e natës dhe diskotekat e shumta.

Adhuruesit e natyrës mund të shëtisin me qentë e tyre ose të vrapojnë në “Taukbahqe”, me ç’rast  mund të çlodhen, duke pirë kafe tek “Parku i Princave” ose duke u ulur në stolat pranë kanalit, ku kalon uji i lumit të mbuluar “Vellusha”. Në këtë park ka edhe fusha tenisi të pajisura me ndriçim.

Më tej është “Parku Nacional i Gërmisë”, ndërsa në pjesën e poshtme të Prishtinës gjendet “Parku i Qytetit” plot lule, gjelbërim dhe lodra për fëmijë.

Brenda Pallatit të Rinisë ka dyqane rrobash të markave të njohura dhe kafene e ëmbëltore, ndërsa jashtë tij gjendet monumenti atraktiv dhe simboli i pavarësisë së Kosovës “NEWBORN”, ngjyrat e të cilit ndryshohen çdo përvjetor nga qytetarët.

Arkitektura e qytetit – Në objektet administrative, kulturore dhe fetare të Prishtinës vërehen stile të ndryshme ndërtimi, të projektuara sipas mënyrave të ish-pushtuesve ndër shekuj.

Xhamia e Çarshisë, Xhamia e Sulltan Mehmetit – Pushtuesit, Sahatkulla, ndërtesa e Muzeut të Kosovës, Hamami, Shadërvani, Teqeja e Madhe gjenden në pjesën e ashtuquajtur “Prishtina e Vjetër” dhe janë ndër objektet më të bukura, në të cilat kanë lënë gjurmë pushtuesit osmanë.

Motivet austro-hungareze vërehen në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në ndërtesën tashmë të rikonstruktuar të hotelit “Union”, e cila është shndërruar në dyqan rrobash dhe kafene. Ndërkaq, pranë saj ndodhet Teatri Kombëtar i Kosovës i ndërtuar në kohën e komunizmit jugosllav ashtu si dhe ndërtesa e Qeverisë, Kuvendi, Radio Kosova, e Pallati i Mediave.

Brenda kampusit universitar gjendet simboli i diturisë: Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, objekt karakteristik me kupola i ndërtuar në vitin 1982.

Shikimin kah lashtësia do t’ua kthejnë rrënojat e qytetit antik Ulpiana, që ndodhen rreth 7 kilometra në juglindje të Prishtinës.

Në sheshin e Prishtinës qëndrojnë shtatoret e figurave më të rëndësishme shqiptare që gërshetojnë periudhat e ndryshme historike nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Nënë Tereza, deri te luftëtari Zahir Pajaziti dhe presidenti Ibrahim Rugova.

Toponimi – Ekzistojnë disa hipoteza lidhur me prejardhjen e emrit të Prishtinës. Njëra mbështetet në burimin latin të fjalës “prisintume” që do të thotë e dikurshme. Sipas një hipoteze tjetër, Prishtinë do të thotë prishje e stinëve, pra prishje e kohës apo motit, duke u nisur nga fakti që temperaturat ndryshojnë shpeshherë brenda ditës.

Disa autorë e përmendin shpatë-mbajtësin me emrin Prishtina që gjendet në një dokument të knezit kroat Mutirimit nga viti 892. Të tjerët thonë që emri  Prishtinë ka qenë emër i ndonjë personaliteti.

/Teuta Berisha – Vajzë dëgjohu/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM