Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka siguruar mësimdhënësit se po ndërmerr veprime konkrete në drejtim të mirëqenies së tyre, krahas punës që po bëhet në përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e politikave arsimore.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Ministrisë, përfshirë edhe ministren Nagavci dhe zëvedësministrat Maloku Bërdyna dhe Pupovci, po vazhdojnë vizitat në shumë shkolla në komuna të ndryshme dhe po takohen me mësimdhënës, por edhe me prindër, për të biseduar për shqetësimet e tyre dhe adresimin nga ana e MAShTI dhe Qeveria e Kosovës.
Në këto takime, bashkëbisedimi me mësimdhënësit është i fokusuar te politikat e reja në mbështetje të tyre, ndërsa, zyrtarët e Ministrisë kanë premtuar se do të merren edhe veprime të tjera konkrete për të tejkaluar çdo vështirësi me të cilën ballafaqohen mësimdhënësit, sikur që është tejkaluar problemi i atyre me probleme serioze shëndetësore dhe nuk ka më asnjë mësimdhënës që i duhet të dalë në punë sepse i nevoitet paga për të blerë ilaçe.
Shkollat dhe mësimdhënësit që kanë filluar mësimin janë përgëzuar për këtë vendim, ndërkohë që dialogu social do të vazhdojë.
MAShTI kërkon nga të gjithë mësimdhënësit e Kosovës që të mirëkuptojnë situatën, tashmë kur ata dhe familjet e tyre do të përfitojnë nga Pakoja e ndihmave financiare, derisa në Projektligjin për paga, i cili ka dalë në debat publik, janë marrë për bazë të gjitha kërkesat e tyre duke u trajtuar me kujdes të veçantë të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit.
Po ashtu, MAShTI siguron të gjithë mësimdhënësit se do të adresohet vazhdueshëm çdo shqetësim i tyre dhe bashkërisht të evitohen të gjitha vështirësitë për të arritur kështu edhe ngritjen e cilësisë në arsim, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.






