Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna, ka pritur një delegacion nga Bashkimi Evropian, të kryesuar nga Vassilis Maragos, Shef i Njësisë për Kosovë, me të cilët ka biseduar për mundësinë e mbështetjes së arsimit në Kosovë nga ana e këtij institucioni përmes programit IPA 2023.
Edukimi në Fëmijërisë së Hershme, digjitalizimi në arsim dhe skema e garanteve për të rinjtë, kanë qenë temat kryesore të takimit, duke qenë se këto janë edhe tri projekt propozimet e MAShTI për mbështetjen nga ana e BE-së.
Me këtë rast, zv.ministrja Maloku Bërdyna ka theksuar se të trija këto projekte janë objektiva edhe në Planin Strategjik për Arsimin për pesë vitet e ardhshme, i cili pritet të miratohet shpejt.
Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet prej 18 milionë eurosh për infrastrukturën digjitale për tre vitet e ardhshme dhe aktualisht është duke u zhvilluar një plan i detajuar për vendosjen e infrastrukturës së TI-së në shkolla, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.