E organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës në bashkëpunim me partnerët Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore (OEMVP) dhe Oda Ekonomike e Malit të Zi (PKCG), u mbajt Konferenca Rajonale “Regional Investment Promotion”.
Kjo konferencë u zhvillua në kuadër të zbatimit të projektit rajonal nga Western Balkans Fund dhe ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal.
Në këtë takim, të ftuar ishin përfaqësues të institucioneve vendore dhe rajonale, partnerë vendor dhe ndërkombëtarë, përfaqësues diplomatik si dhe bizneset nga vendi dhe rajoni.
Në fjalën e saj përshëndetëse para të pranishmëve në këtë konferencë, ministrja Rozeta Hajdari tha se, bashkëpunimi i afërt rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, kontribuon në zhvillim dhe integrim më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Ajo njoftoi të pranishmit për synimin dhe objektivat e politikës industriale dhe për finalizimin e hartimit të ligjit për investimet e qëndrueshme, të hartuara nga MINT, me qëllim të zhvillimit industrial dhe rritjes e mbrojtjes së investimeve në Republikën tonë.
Ministrja Hajdari theksoi rëndësinë e zhvillimit të zinxhirit të vlerës në nivel rajonal, ku industritë nga vendet e rajonit me potencialet e tyre mund të plotësojnë njëra tjetrën dhe të përfitojnë nga trendet “nearshoring’’ pas COVID 19 dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitik. Në përfundim, ajo iu prezantoi të pranishmëve, përparësitë konkurruese për investime në Republikën e Kosovës, me treguesit pozitiv për qeverisjen e mirë dhe rritjen e demokracisë dhe ekonomisë në vendin tonë.
Në fund të konferencës u organizuan panele diskutuese, ku përfaqësues institucional nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut dhe nga bizneset, kishin mundësinë që të njoftohen dhe të shkëmbejnë kontaktet e tyre për bashkëpunim, thuhet në postimin në Facebook të MINT-it.