Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka mbajtur konferencë për media për promovim të masave të subvencionimit për efiçiencë të energjisë për qytetarë.
Rizvanolli ka njoftuar që nga sot Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen për subvencionim të pajisjeve efiçiente ekonomike për ngrohje, në vlerë prej 6 milionë euro.
Pajisjet që do të subvencionojmë përfshijnë:
1. Kaldajat me biomasë (dru, pelet, briket), do të subvencionohen me 70% të vlerës; subvencioni deri në 1200 euro;
2. Pompat termike (të cilat ulin shpenzimin e energjisë elektrike deri në 70%), do të subvencionohen me 30% të vlerës; subvencioni deri në 2500 euro.
3. Kondicionerët efiçientë (të cilët gjithashtu ulin shpenzimin deri në 70%), do të subvencionohen me 40% të vlerës; subvencioni deri në 400 euro.
4. Stufat individuale efiçente me biomasë (dru), të cilat – për familjet që janë pjesë e skemës së asistencës sociale do të subvencionohen me 90%, subvencioni deri në 560 euro; ndërsa për të tjerët deri në 70%, subvencioni deri në 435 euro.
Aplikimi për këto bëhet online përmes platformës eKosova. Kriteret e përfitimit dhe specifikat teknike të pajisjeve që subvencionohen janë të specifikuara qartë në thirrjen për aplikim.
Qëllimi i masave është i dyfishtë:
– Të ndihmojë familjet që dëshirojnë të zëvendësojnë ngrohjen me energji elektrike me alternativa të tjera (pelet, dru, briket) ose me pajisje elektrike që shpenzojnë 60-70% më pak energji elektrike. Kriteret specifike mund t’i lexoni në thirrje.
– Të ndihmojë të gjitha familjet pavarësisht se me çfarë ngrohen dhe veçanërisht familjet me kushte më të vështira ekonomike, për të pasur efiçiencë më të lartë – do të thotë, për të arritur të mbajnë ngrohtë shtëpitë e tyre dhe këtë me më pak shpenzime për dru, apo lëndë të tjera djegëse.
Me këto masa synojmë të përkrahim së paku 10,000 familje. Si rezultat i masave presim ulje prej gati 70% të konsumit të energjisë së konsumuar nga këto familje për ngrohje. Kjo do të thotë që këto familje do të përfitojnë shumëfish:
– E para, përfitimi direkt nga subvencioni për pajisje, në vlerë prej 400 deri 2500 euro
– E dyta, kursimi duke ulur faturat e energjisë elektrike ose shpenzimet për dru e lëndë të tjera djegëse
– E treta, këto familje që kursejnë energji elektrike përfitojnë shtesë subvencionin e qeverisë të lidhur me kursimin.
Këto masa pritet t’i kursejnë vendit 12 milionë euro vetëm gjatë këtij dimri.
Falënderoj ekipin të cilët kanë dizajnuar këto masa, përfshirë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Fondi i Efiçiencës së Energjisë, Agjencia e Efiçiencës së Energjisë dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Falënderoj veçanërisht Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për asistencën teknike për dizajnim dhe promovim të këtyre masave.
Gjithashtu, falënderoj edhe Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për këshillimin profesional në bazë të përvojave të tyre në zbatim të masave të ngjashme.
Kjo është skema e parë e institucioneve të Kosovës për përkrahje të efiçëncës së energjisë për qytetarët. Kjo përvojë do të zhvillojë kapacitetet institucionale dhe hap rrugën që institucionet tona të vazhdojnë me zbatimin e masave të tjera të ngjashme e edhe më komplekse për të përkrahur qytetarët, si për shembull përmes subvencionimit të pajisjeve shtëpiake efiçiente, paneleve solare, paneleve solare për ngrohje të ujit, izolimit të shtëpive, etj.
Siç e kemi thënë vazhdimisht, secili veprim për kursim të energjisë është jo vetëm kursim për konsumatorët dhe buxhetin e shtetit, por edhe i rrit gjasat për furnizim të rregullt me energji, thuhet në faqen zyrtare të ME-së.