Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u prezentua me njërin ndër fjalimet kryesore në sesionet e seminarit të 102-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë.
Ky seminar tradicional u organizua në bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Kosovës nga Asamblea Parlamentare të NATO-s me temën ” Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor, sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”.
Në fjalimin e tij,Mehaj, njoftoi pjesëmarrësit me objektivat strategjikë të tij në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, synimet në fushën e diplomacisë së mbrojtjes, bashkëpunimit ndëkombëtar si dhe angazhimit në proceset integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së saj.
Gjithashtu, ministri Mehaj ritheksoi edhe angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe pozicionin e Republikës së Kosovës në kuadër të sfidave , kërcënimeve dhe rreziqeve në mjedisin aktual të sigurisë dhe realitetit gjeopolitik aktual, veçanërisht pas agresionir rus në Ukrainë.
Ndër të tjera, në kontekstin aktual vuri në fokus ndikimin e Rusisë përmes Serbisë në tentimin për destabilizimin e rajonit me politikën destruktive ndaj Kosovës. Prandaj për këtë kërkoi edhe vëmendjen më të shtuar dhe qëndrimin më të qartë të disa vendeve evropiane në relacion me Serbinë.
Në këtë seminar po marrin pjesë delegacione të vendeve anëtare, të vendeve të asociuara, vëzhguesve e partnerëve të AP të NATO-s, udhëheqës të shtetit të Kosovës, deputetë anëtarë të komisioneve për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe ata për mbikëqyrjen e AKI-së.
Në një linjë direkte nga SHBA-të ishte pjesëmarrës edhe Gerald E. Connolly, President i NATO-s.
Gjatë seminarit tre ditor, do të diskutohet për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë, si dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.






