Build Skills with our trainings

Sign up now!

I riu kosovar, i diplomuar, i pakualifikuar e i papunë

Jan 28, 2015

Mesatarisht 24,000 nxënës të shkollave të mesme do të diplomojnë çdo vit gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Nga ta rreth 8 mijë do të regjistrohen vetëm në Universitetin e Prishtinës, një pjesë tjetër do të absorbohet nga 29 institucione private, disa prej të cilave e promovojnë veten si universitete e disa kolegje.

Por sa janë gjasat që këta të rinj pas kryerjes së shkollimit të punësohen? Kosova, duke pasur popullsinë më të re në Evropë, me rreth 70% nën moshën 30 vjeçare dhe gjysmën e popullsisë nën moshën 25 vjeçare, edhe me një zhvillim të lartë ekonomik, do të ketë vështirësi në absorbimin e të gjithë të rinjve të aftë për punë.

Përgjegjësia e Ministrisë së Arsimit në përshtatjen e numrit të studentëve në drejtime, varësisht nga kërkesat e tregut të punës në Kosovë, është diskutuar me dhjetra herë. Duke qenë se kjo ministri ende nuk ka ndërmarrë hapa efektiv në këtë drejtim, u mbetet vetë studentëve të mendojnë në plan më afatëgjatë kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e drejtimit dhe institucionit të cilit do t’ia kushtojnë kohën dhe financat.

Studentët në vendin tonë kanë tendencë të zgjedhin drejtime tradicionalisht të popullarizuara. Nga më pak se 2 milionë banorë, vetëm nga Universiteti i Prishtinës, në afatet e qershorit dalin mbi 100 juristë në vit. Meqë  diploma e Fakultetit Juridik nuk vlen në shtete të  tjera, të gjithë këta juristë të diplomuar synojnë tregun kosovar  gjithsesi shumë të kufizuar. E njëjta vlen për të diplomuarit nga Fakulteti i Edukimit, apo ata të gjuhës angleze, e ekonomisë, si  dhe nga drejtimet e tjera më të kërkuara.

Fakulteti i Edukimit, si ilustrim, është i mbipopulluar nga studente vajza, të cilat pretendojnë të bëhen mësuese. Zgjedhja e tyre ka të bëjë me një bindje të krijuar se ky drejtim mund të jetë paksa më i lehtë  por edhe me perceptimin ende mbizotërues në shoqërinë tonë, se kjo “është punë për vajza”, ndërkohë që zgjedhja mund të bëhet pa u analizuar mundësitë eventuale të punësimit pas diplomimit, të cilat janë shumë të vogla. Një perceptim i tillë i gabueshëm bën që bujqësia apo shkollat e aftësimit profesional, shpesh të shihen  si drejtime “ruralësh”, të injorohen, përkundër mundësisë dukshëm më shpresëdhënëse për punësim.

Valdete Azemi, studente e Fakultetit të Edukimit, në Universitetin e Prishtinës, thotë se dëshiron të bëhet mësimdhënese për shkak të pushimeve dhe orarit të shkurt të punës, “sepse në këtë mënyrë do të kam më shumë kohë për familje”. Ajo shton se nuk do të studionte diç si gazetaria apo politika duke qenë se sipas saj këto janë drejtime të rënda dhe ku nuk ka orar fiks.

Ndërkaq për kolegen e saj, Alketa Jasharin, shtysë për këtë përzgjedhje të saj ishte familja dhe i dashuri.

Kosova ka nevojë për kuadro të reja por mbase jo edhe për më shumë juristë, ekonomistë, bankierë e mësues, sepse të tillë ndodh të ketë mjaftueshëm për shumë vjet në mos edhe dekada të ardhshme.

Nga ana tjetër, për shumë studentë sikur marrja e diplomës e jo aftësimi profesional, është qëllimi parësor. Por ata janë një pjesë e problemit.

Universiteti i Prishinës mund të pranojë vetëm një të tretën e numrit të nxënësve të cilët çdo vit përfundojnë shkollën e mesme. Sipas organizatës për hulumtime GAP, nga viti 2001, 30 institucione private të arsimit të lartë kanë marrë leje për punë. Të licencuara por jo të gjitha të akredituara, këto shkolla shpesh nuk kanë kritere të tjera të pranimit pos pagesës.

Një institucion i tillë para dy vitesh, në një gazetë, ofroi bursë të plotë për studime, përmes “gërvish dhe fito”. Në një tjetër institucion të ngjashëm privat studentët e drejtimit banka dhe financa dhe ata të administratës publike për një semestër i mbajtën ligjeratat bashkë.

Që të dy rastet mund të shërbejnë edhe si njëfarë treguesi të cilësisë së këtyre institucioneve, ku aftësimi profesional vjen tek pas aspektit financiar, por që në fund “kurorëzohet” edhe me mosvlerësim të diplomës nga punëdhënësit.

Duhet theksuar se në mungesë të fuqisë punëtore të profesionalizuar, bizneset në Kosovë, si dhe investitorë të huaj që kapitalin e tyre e shtrijnë në Kosovë, jo rrallë herë janë të detyruar të kërkojnë punëtorë jashtë vendit.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për media, thotë se hulumtimet që i kanë bërë për tregun e punës, kanë treguar se shumë investitorë të huaj që kanë privatizuar asetet të Kosovës, për të zëvendësuar mungesën e profesionistëve, kanë marrë punëtorë jashtë vendit.

“Është e vërtetë se në Kosovë kemi një papunësi tepër të madhe, por kemi edhe një numër të konsiderueshëm të punëkërkuesve joprofesionalë dhe të papërgatitur për tregun e punës dhe në mungesë të këtyre, bizneset e Kosovës shpesh importojnë fuqi punëtore në mënyrë që të plotësojnë kuadrot deficitare. Në Kosovë janë më shumë se 1,500 të huaj që punojnë këtu, të cilët kanë marrë leje të punës në mungesë të profesioneve të ndryshme”, tregon Shahini.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, Kosovës i mungojnë inxhinierë të profileve të ndryshme, profesionistë në fushën e telekomunikacionit, kibernetikës, energjisë e të ngjashme.

Trendet e zhvillimit ekonomik, ndonëse pozitive, janë të shkallës më të ulët krahasuar me vendet e rajonit. Shkalla e lartë e papunësisë dhe konkurrenca e jashtëzakonshme për vende pune, ia ka shtruar rrugën nepotizmit të gjithëpranishëm në instituciont shtetërore, ku kriter është familjarizimi dhe jo meritorkacia.

Përderisa të vazhdojë kjo situatë, rinia e Kosovës në planin afatëshkurtër, gjithnjë e më tepër do të mund të shikohet si pengesë, në vend që të shikohet si një resurs e asset i jashtëzakonshëm që nuk e kanë shumë vende të rajonit.

/Albana Rrahmani – Vajzë Dëgjohu/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM