Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbrëmë takimi i katërt i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi. Gjatë këtij takimi janë evidentuar rezultatet e para të punës së Komisionit, si dhe të angazhimit të shtuar të anëtarëve të tij.
Kryeministri Kurti, në fjalën e tij hyrëse, theksoi dy udhëzimet administrative që janë miratuar që nga themelimi i Komisionit. Udhëzimi i parë, për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj, synon të lehtësojë ardhjen e profesionistëve shëndetësorë të mërgatës dhe të huaj, për të plotësuar ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen në institucionet publike shëndetësore. Ndërsa, udhëzimi i dytë, për Thjeshtimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale, që nuk kanë paralele të autorizuara në Republikën e Kosovës, do të sigurojë që barnat pa garanci të cilësisë nuk do të mund të futen në konkurrencë për tenderë të shpallur nga institucione publike shëndetësore.
Lidhur me udhëzimin e parë, u.d. ministrja e Ministrisë së Shëndetësisë, dr. Dafina Gexha Bunjaku, foli për hapat e ndërmarrë për të siguruar ardhjen sa më të shpejtë të profesionistëve shëndetësorë nga jashtë vendit. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të udhëzimit, Ministria e Shëndetësisë ka emëruar Bordin për licencimin e profesionistëve të huaj, i cili ka hartuar dhe miratuar një rregullore të re të punës. Po ashtu, Ministria, në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar, ka nisur përpilimin e nevojave specifike të institucioneve publike. Falë këtyre veprimeve të shpejta, pritet që gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm të vijnë profesionistët e parë nga mërgata dhe ata të huaj në kuadër të kësaj iniciative.
Duke folur për një prioritet tjetër të identifikuara nga Komisioni, zëvendësministri i Shëndetësisë, dr. Arsim Berisha, theksoi masat e ndërmarra drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës. Me këtë qëllim, gjatë javëve në vijim, Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Shëndetësor do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë, duke shtuar inspektimet në institucionet shëndetësore.
Gjatë takimit, Kryeministri Kurti theksoi se hapat e ndërmarrë deri tani, përbëjnë vetëm një pjesë në rrugëtimin drejt reformave të thella në sektorin e shëndetësisë. Ai po ashtu shfrytëzoi rastin për të falënderuar ish ministrin, dr. Rifat Latifi, për shërbimin gjatë 10 muajve në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe ushtruesen e detyrës së ministrit, dr. Dafina Gexha Bunjaku, për gatishmërinë e saj për të udhëhequr këtë dikaster të rëndësishëm, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.