Sot në mbledhjen e 103-të të Qeverisë, është votuar Projektligji i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023. Ekonomia vendore edhe këtë vit vazhdoi trendin rritës, pavarësisht sfidave e krizave globale, gjë që mundësoi konsolidim e financave publike e realizimin e objektivave qeveritare.
Rritje e zhvillim ekonomik pritet edhe me Buxhetin e vitit 2023, i cili është më i larti e më gjithpërfshirësi ndonjëherë. Projektbuxheti 2023 kap vlerën prej 3 miliardë e 212 milionë euro, 8.7% apo 220 milionë euro më i shumë se sa ai i vitit 2022. Të hyrat buxhetore për 2023 pritet të jenë në vlerë prej 2 miliardë e 884 milionë euro, gjë që paraqet rritje prej 18.7% në krahasim vitin 2022.
Përkitazi me Programin Qeverisës 2021-2025, buxheti i planifikuar për vitin 2023 parasheh investime e ndarje buxhetore që synojnë stabilitet makro-fiskal, përmirësojnë ambientin ekonomik, e ndikojnë në ngritjen e mirëqenies qytetare.
Specifikisht, projektbuxheti i vitit 2023 ka për qëllim vazhdimin e konsolidimit të rimëkëmbjes ekonomike pas përballimit me krizat e njëpasnjëshme, zbutjen e ndikimit të presioneve të larta inflacionare me origjinë nga ambienti i jashtëm në shoqërinë tonë, si dhe sigurimin e qëndrueshmërisë makro-fiskale, veçanërisht në një kontekst të ri makroekonomik global të rrethuar me pasiguri të larta.
Vlen të theksohet, se në vitin 2023 do të rikthehet kufizimi i deficitit sipas rregullës fiskale, pra në 2% të Bruto Produktit Vendor, megjithëse kthimi brenda kufirit është arritur që në vitin 2021. Si rezultat i kësaj edhe borxhi publik është vendosur nën kontroll, ku parashikimet janë që viti 2023 të përmbyllet me borxh publik karshi BPV-së në 22.5%.
Projekbuxheti për vitin 2023 vazhdon mbështetjen për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë, gjë që përkon drejtpërdrejtë me prioritetet e Programit Qeverisës.
Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023 pas votimit në Qeveri, do të procedohet për miratim nga Kuvendi, thuhet në postimin në Facebook të MFPT-së.