Në nderim të heronjve Afrim Zhitia e Fahri Faziu, sot, në përvjetorin e 33-të të rënies, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule te varrezat e tyre në Velani të Prishtinës.
Pas homazheve, kryetari Konjufca tha se Afrimi e Fahriu ishin shembulli më kuptimplotë i sakrificës për liri, që frymëzuan edhe brezat e mëpastajmë.
“Erdhëm për të nderuar heronjtë tanë, të cilët këtu e 33 vite më parë dhanë shembullin më sublim se si jepet jeta për lirinë e atdheut. Ata me pushkë në dorë i luftuan forcat e okupatorit dhe ranë heroikisht në krye të detyrës.
Shembullin e tyre e ndoqën më pas mijëra djem e vajza, të cilët në vitet 1998-1999 u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e përjetësuar aktin heroik të Afrimit e të Fahriut. Do të kujtohen dhe nderohen sa të ketë popull shqiptar”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.
Kreu i Kuvendit shtoi se Afrim Zhitia e Fahri Fazliu ishin të frymëzuar nga veprimtaria e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, të cilët dhanë jetën në po të njëjtën mënyrë, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.