Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë është hapur Panairi i Librit, i 25-ti me radhë, ku po marrin pjesë mbi 90 botues.
Falë bashkëpunimit mes Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, botuesit e Kosovës kanë krijuar traditë pjesëmarrjeje në këtë ngjarje shumë të rëndësishme kulturore. Ndër ta janë: “Buzuku”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dukagjini”, “Instituti Albanologjik”, e të tjerë.
Panairi i Librit i Tiranës, krahas atij të Prishtinës, është festa kryesore e librit shqip dhe është një nga formatet e nxitjes së leximit.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi kryetari Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, këshilltaret e ministrit Hajrulla Çeku, Nora Arapi Krasniqi dhe Zana Fetiu.
Panairi do të qëndrojë i hapur deri të dielen, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.