Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka ftuar të gjithë të rinjtë e të rejat e interesuara për t’i shërbyer atdheut në uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të aplikojnë.
Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se me ndryshimet ligjore të miratuara përsa i përket kriterit të moshës që ua mundëson aplikimin çdo të riu dhe të reje deri në 25 vjeç, si dhe aktet nënligjore të cilat janë në proces të miratimit për përkujdesin ndaj familjarëve të ushtarakeve në mision.
Ushtria çdoherë e më shumë është duke ofruar kushtet e nevojshme për balancimin e jetës profesionale dhe personale, andaj dhe kemi besim të plotë se inkuadrimi i vajzave dhe grave në Forcën e Sigurisë së Kosovës do të ndjek trendin e rritjes, ashtu që ushtria do të reflektojë në maksimumet e mundshme përbërjen gjinore të popullsisë, duke mundësuar kësisoj avancimin edhe të nivelit të organizmit, bazuar në këndvështrime e përvoja të ndryshme.
Ushtria e Republikës së Kosovës ofron mundësi të barabarta për zhvillimin e karrierës të të gjithë ushtarakëve pa dallim gjinie sepse gratë po aq sa dhe burrat janë të gatshme të luftojnë e vdesin për atdhe.
Fushata e ardhshme rekrutuese do fillojë me datën 28 nëntor, andaj ftoj të gjithë të rinjtë e të rejat e interesuara për t’i shërbyer atdheut në uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të aplikojnë.
Të jesh pjesë e ushtrisë do të thotë të zgjedhësh t’i shërbesh atdheut me nder dhe krenari kudo, në çdo kohë dhe kurdoherë.