Kohëve të fundit, globalisht ka bërë bujë termi “pink taxes”. Por çfarë është në të vërtetë kjo lloj takse?
Pink Tax është një term që i referohet shumës shtesë së parave që gratë e paguajnë për disa produkte ose shëbime të cilat janë gati identike me ato të meshkujve. Kjo diferencë e çmimeve prek domosdoshmërisht edhe tregun kosovar.
Diferenca e përgjithshme mes çmimeve varion prej disa centësh ndonjëherë edhe në disa euro. Mirëpo nëse marrim shumën e përgjithshme vjetore vërejmë se edhe gratë në Kosovë përkundër nivelit më të madh të papunësisë e pagave më të vogla, duhet të paguajnë më shumë se meshkujt për produkte bazike. Në këtë lloj takse pëfshihen edhe produket e domosdoshme të higjenës çmimet e së cilave janë shpesh të papërballueshme për ato gra që përballen me probleme financiare.
Të poshtëshënuara janë disa produkte të prodhuara nga fima të njëjta (që kanë masa dhe përmbajtje të njëjta) por që shiten me çmime të ndryshme për të dy gjinitë. Çmimet e këtyre produkteve janë përafërsisht të ngjashme në të gjitha marketet e Kosovës.
Problem specifik paraqesin pecetat higjenike e tamponët që përdoren gjatë cilkit menstrual. Këto produkte të domosdoshme femërore pos që kanë një çmim mjaft të lartë, janë gjithashtu subjekt i taksave shtetërore. Çfarë duket se nuk kuptohet është se këto produkte nuk hyjnë aspak në listën e gjërave luksoze dhe jo të domosdoshme për të cilat vërtetë arsyetohen taksat.
Të llogaritura sipas çmimeve prezente në tregun kosovar, një shportë mujore me produkte higjenike kushton rreth 25,90 euro për femra dhe 15.65 euro për meshkuj. Kështu, nëse llogarisim shumën vjetore të produkteve higjenike, femrat në Kosovë paguajnë rreth 102 euro më shumë sesa meshkujt për produktet e njejëta. Kjo shumë diferencohet edhe më shumë, po që se i shtojmë çmimet e rrobave e shërbimeve të tjera të cilat ndahen sipas gjinisë.
Rrobat gjithashtu përbëjnë një sektor ku çmimet e produkteve të ngjashme variojnë sipas gjinive. Këmishat e bardha klasike për meshkuj në shumicën e dyçaneve gjenden me çmim të paktën 10 euro më të ultë sesa këmishat e thjeshta të bardha të femrave, përkundër faktit që për fabrikimin e tyre harxhohet më shumë material. Pastaj, pëderisa një prerje e flokëve për meshkuj kushton rreth 2.50 euro, tek femrat një prerje krejt e thjeshtë, e drejtë, kushton të paktën 4.50 euro.
Pra, të ekspozuara ndaj “pink taxes” janë femrat të cilat përbëjnë 49.9% të popullsisë së Kosovës. Nga kjo përqindje, e punësuar është vetëm një në çdo pesë femra të afta për punë. Përkundër pozitës së palakmueshme financiare në shoqëri, shumica prej tyre janë subjekt i kësaj takse madje pa e ditur për ekzistencën e saj. E si mund të shmaget kjo lloj pagese shtesë? Pink Tax është politikë ekonomike industriale e cila nuk mund të ç`rrënjoset brenda një kohe të shkurtër. Për momentin, thjeshtë mund të blini produkte të meshkujve të cilat kryejnë punë po aq mirë. Një krem rroje funksionon njësoj pavarësisht nese ka ambalazh me ngjyrë të kaltër për meshkuj apo violet për femra.
/Gresë Koca – Vajzë Dëgjohu/