Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti: Duhet angazhim i gjithmbarshëm, nga të gjithë, kudo, të mos lejojmë të kemi as edhe një viktimë më shumë

Dhj 10, 2022

Në shënim të 74-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut e në ditën e fundit të “16 ditëve të aktivizmit Kundër dhunës në baza gjinore”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi se me angazhimin e pashoq, të palodhshëm e të pakursyer të Ministrisë së Drejtësisë, e cila e ka përcaktuar parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore si një nga 5 objektivat strategjike të saj, Qeveria ka prioritizuar luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Fjalën e tij, kryeministri Kurti e kishte filluar duke numëruar emrat e grave dhe vajzave që janë vrarë nga partnerët e tyre. Ai u shpreh se dhuna kundër grave e vajzave nuk është dukuri vetëm në shoqërinë tonë dhe se për fat të keq, secilin vit, në secilin shtet, ku më shumë e ku më pak, gratë e vajzat vazhdojnë të jenë viktima të burrave të frustruar e të dhunshëm.

Studimet tregojnë që në botë një në tri gra përjeton dhunë fizike ose seksuale, kryesisht nga partneri i saj. Ajo ua pamundëson atyre pjesëmarrjen e plotë në shoqëri, i prekë familjet e tyre, komunitetin e përbashkët por edhe shtetin në tërësi, theksoi më tej kryeministri.

“Andaj duhet adresuar së bashku. Vetëm me punë e aktivizëm të përbashkët mund të ndryshojmë mentalitetin shoqëror. Për këtë na nevojitet solidaritet kombëtarë e solidaritet ndërkombëtarë”, tha ai.

Para shumë të pranishmëve, kryeministri Kurti gjithashtu u shpreh se mekanizmat për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore janë themeluar dhe tani po funksionojnë, por se krahas përgjegjësisë profesionale në institucionet tona, duhet rritur përpjekjet e veprimet e përbashkëta në luftë kundër dhunës në familje e dhunës me bazë gjinore.

Kryeministri Kurti tha se si shoqëri me vetëdije, si institucione me përgjegjësi, si qytetarë të ndërgjegjshëm, këtë dukuri duhet ta luftojmë në mënyrë efikase tërë kohën, nga të gjithë, nga secili, kudo. Që të mos lejojmë të kemi as edhe një viktimë më shumë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

 

Igballe Lalloshi

 

Diana Kastrati

 

Antigona Morina

 

Donjeta Pajazitaj

 

Zejnepe Berisha

 

Dafina Zhubi

 

Flora Omuri

 

Sevdije Berisha

 

Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj

 

Sabile Mavrovqani

 

Sebahate Morina

 

Marigona Osmani

 

Lirie Qerimaj

 

Sanije Godanci

 

Hamide Magashi

 

Këta janë vetëm disa prej emrave të grave të vrara nga burrat në jetën e tyre.

Emrat e atyre historitë e të cilave u bënë publike.

Që i dimë.

Ku ta dimë edhe sa të tjera nuk janë më në jetë po nuk ua kemi dëgjuar historitë?

 

I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

E nderuara zëvendëskryeministre, znj. Emilija Rexhepi,

E nderuara ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

E nderuara kryetare e Grupit të Grave në Kuvendin e Republikës, znj. Tinka Kurti,

E nderuara aktivistja jonë më e shquar, znj. Igballe Rogova,

Shkëlqesi ambasadorë dhe diplomatë të tjerë,

Zëvendësministra e deputetë të Kuvendit,

Drejtues e përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare,

Aktiviste e aktivistë të shoqërisë civile,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

 

Dhuna kundër grave e vajzave nuk është dukuri vetëm në shoqërinë tonë. Për fat të keq, secilin vit, në secilin shtet, ku më shumë e ku më pak, gratë e vajzat vazhdojnë të jenë viktima të burrave të frustruar e të dhunshëm. Të tradhtuara e të lënduara nga më të afërmit e tyre. Përditë.

 

Studimet e bëra tregojnë që në botë një në tre gra përjeton dhunë fizike ose seksuale, kryesisht nga partneri i saj. Dhuna ndaj grave dhe vajzave shkakton dëme të atypëratyshme dhe dëme afatgjate. Këto dëme qoftë fizike, qoftë seksuale, qoftë psikologjike e emocionale janë shkatërruese, edhe në rastet kur epilogu mbase nuk është vdekja.

 

Dhuna ua pamundëson atyre pjesëmarrjen e plotë në shoqëri. I prekë familjet e tyre, komunitetin e përbashkët, por edhe shtetin në tërësi. Si rrjedhojë e kësaj, ky fenomen na prekë e na përket të gjithë neve. Andaj duhet adresuar së bashku. Vetëm me punë e aktivizëm të përbashkët mund të ndryshojmë mentalitetin shoqëror. Për këtë na nevojitet solidaritet kombëtarë e solidaritet ndërkombëtarë.

 

Vrasjet e grave nga partnerët e tyre nuk vijnë si akte spontane, por janë kulmim i dhunës së mëhershme të përjetuar në lidhje. Këtë duhet ta kemi parasysh kur flasim për femicidin.

 

Femicidi ka definime të ndryshme, por femicidi është vrasja e grave dhe vajzave para se gjithash e mbi të gjitha për shkak të gjinisë së tyre. E është më se shqetësuese kur shtëpia bëhet vendi më i rrezikshëm për dikënd. A mund ta imagjinoni? Që në fund të ditës të keni frikë të ktheheni në shtëpinë tuaj?

 

Mund të imagjinojmë se si kemi frikë të jemi jashtë e hyjmë brenda, por të kesh frikë të hysh brenda është tejet e rëndë. E kur kjo është e përditshme është e padurueshme.

 

Ne do të mund të adresojmë më së miri këtë problem kaq të madh në shoqërinë tonë, sa më shumë që punojmë së bashku.

 

Sepse gratë dhe vajzat secilën ditë vazhdon t’i vrasë sistemi patriarkal i ndërtuar ndër vite e ndër breza. Vazhdon t’i vrasë secilën ditë secila familje që vajzën e rritë ndryshe prej djalit, sepse aty është fara e së keqes. Që vajzës i thotë “ti rri në shtëpi se është vonë” e djalit ia rrah krahët. Vazhdon t’i vrasë mungesa e sistemit prokurorial e gjyqësor efektiv. Por ne duhet të vazhdojmë e do të vazhdojmë të punojmë së bashku e të mos dorëzohemi asnjëherë.

 

Që kryesit e veprave të marrin dënime meritore. Që barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë të mos bie mbi supet e grave dhe vajzave.

 

Por ndër synimet tona më të mëdha duhet të jetë parandalimi i këtyre rasteve. E parandalimi i ka rrënjët e thella e të shpërndara. Në familje. Në shoqëri. Në sistemin e edukimit. Në ekonomi.

 

Nuk e them vetëm unë, por ka pa numër studime që dëshmojnë se vrasja me dashje e grave dhe vajzave në gjithë botën udhëhiqet nga kulturat mbizotëruese e mizogjinisë, patriarkalizmi, maskuliniteti i dhunshëm dhe toksik dhe stereotipet rigjide tradicionale dhe kulturore të gjinisë. Me fjalë të tjera paragjykimi. Paragjykimi duhet të gjykohet para se të gjykohen të gjithë dhunuesit e të dënohen për krimet që bëjnë.

 

Dhuna ndaj grave është ndoshta shkelja më e turpshme e të drejtave të njeriut e cila nuk njeh kufij gjeografik. Për sa kohë që vazhdon, ne nuk mund të pretendojmë se po bëjmë progres real me të cilin do të mund të krenoheshim. E sot e shënojmë pikërisht Ditën e të Drejtave të Njeriut në botë. Prej tragjedive e luftërave që shoqërohen nga fyerjet e mëdha morale dhe shkatërrimet e përmasave universale të cilat prekin thelbin e njerëzimit, lindin pastaj norma morale e ligjore që synojnë mbrojtjen e qenies njerëzore nga përsëritjet. Një përgjigje ndaj përvojës tragjike të Luftës së Dytë Botërore ishte Konventa Kundër Gjenocidit e pasuar një ditë më vonë nga dokumenti themeltar për krijimin e një rendi botëror me në qendër njeriun dhe qenien e tij humane, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e miratuar sot e 74 vjet më parë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948.

 

Dhe ne duhet të angazhohemi për të gjithë njerëzit, për secilin njeri, por më së shumti e më së pari tek ato e tek ata që u shkelen të drejtat nga shkelësit e të drejtave.

 

Prandaj, sot, kur e shënojmë edhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në përvjetorin e saj të 74-të, e në ditën e fundit të 16 ditëve të aktivizmit, e ritheksoi se Qeveria ka prioritizuar luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave me angazhimin e pashoq, të palodhshëm e të pakursyer të Ministrisë së Drejtësisë e cila e ka përcaktuar parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore si një nga pesë objektivat strategjike të saj. Mekanizmat për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore janë themeluar dhe tashmë po funksionojnë.

 

Krahas përgjegjësisë profesionale në institucionet tona, duhet rritur përpjekjet e veprimet e përbashkëta në luftë kundër dhunës në familje e dhunës me bazë gjinore.

 

Si shoqëri me vetëdije, si institucione me përgjegjësi, si qytetarë të ndërgjegjshëm, këtë dukuri duhet ta luftojmë në mënyrë efikase tërë kohën, nga të gjithë, nga secili, kudo. Që të mos lejojmë të kemi as edhe një viktimë më shumë.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM