Republika e Kosovës sapo kishte dalë nga lufta, tash e 17 vjet më parë, kur shumë të rinj e të reja mezi pritnin angazhimin e tyre për t’i kontribuar zhvillimit të vendit.
Vajza dhe djem, në mesin e të cilëve ishte edhe Vjollca Hoti, iu bashkuan radhëve të policisë kosovare, me dëshirën e madhe në zemër dhe me vullnet të pathyeshëm që të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit tonë të ri.
Tani Vjollca Hoti është kapitene në Stacionin Policor të Fushë Kosovës dhe ajo gjithashtu u nderua me çmimin më të rëndësishëm ndërkombëtar për trimëri, “Madaljen Valor”, çmim ky që iu jepet grave police për trimërinë e treguar gjatë kryerjes së detyrës.
Hoti çmimin e mori në konferencën e 53-të të Asociacionit Ndërkombëtar të Grave në Polici, ceremoni kjo që u mbajt në Cardiff të Wales në Britaninë e Madhe.
Ajo thekson se motivimi për të vazhduar punën vjen nga dashuria ndaj profesionit, mundësia për t’i ndihmuar të tjerët dhe vlerësimi i qytetarëve dhe eprorëve.
“Unë vërtet nuk shoh asnjë gjë të keqe në të qenit police, mirëpo mund të themi që vështirësi ka shumë, bie fjala, puna me ndërrime, puna në teren në të katër stinët e vitit, sforcimet fizike, etj”, është shprehur ajo.
Kapitenja Hoti nuk ka pasur asnjë rast ku qytetarët janë munduar ta korruptojnë. Nuk ka pasur as ndonjë rast sa i përket ngacmimeve ndaj gjinisë femërore. Ajo thotë se atë asnjëherë nuk e ka ngacmuar askush përderisa ka qenë në uniformë. Nuk ka hasur ngacmime nga njerëzit e panjohur në rrugë e as në punë, përkundrazi ajo thekson se për njerëzit e panjohur, respekti ndaj saj është më i lartë kur ajo ka të veshur uniformën policore.
Kur u pyet kapitenja se cila nga dy gjinitë vozisin më pakujdesshëm, ajo tha së nëse krahasohen statistikat e rasteve të aksidenteve në komunikacionin rrugor për vitin 2015 që i ka Stacioni Policor në Fushë Kosovë, del se 72 % të rasteve dyshohet se shkaktar të aksidenteve kanë qenë vozitësit meshkuj, kurse 28 % femra.
Sipas kapitenes Hoti, policet femra dallojnë në krahasim me meshkujt edhe sa i përket ndjesisë ndaj rasteve dhe punës, gjë që i bën të jenë këmbëngulëse në zgjidhjen e problemeve. Ajo gjithashtu tregon përKosovaLive se cilat janë detyrat e të qenit pjesë e policisë.
Detyrat dhe autorizimet e përgjithshme të policisë ndërlidhen me mbrojtjen e jetës, pronës dhe të ofrimit të sigurisë për të gjithë personat, pastaj me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë personave.
Policët parandalojnë rrezikun ndaj qytetarëve dhe ta mbajë rendin dhe sigurinë publike, angazhohen t’i zbuloj veprat penale dhe kryesit e tyre, pra hetojnë veprat penale dhe kryesit e tyre. Policët mbikëqyrin dhe kontrollojnë sigurinë në komunikacion.
E pyetur për ndonjë rast ose ditë të vështirë të punës së saj, kapitenja tregon disa nga rastet më të vështira që ajo ka pasur gjatë karrierës së saj.
“Ishin trazirat e marsit të vitit 2004 dhe në atë situatë prioritet ishte shpëtimi i jetës së njerëzve të rrezikuar. Rrezikshmëria ishte e lartë për arsye se në shtëpi të cilat digjeshin kishte shumë mjete të pashpërthyera”, tregon kapitenja që atëherë ishte 24 orë në punë pa ndërprerje.
Edhe një vit më vonë ajo tregon për një rast të rënd ku në një shtëpi që e kishte kapluar zjarri ndodheshin 4 persona, njeri prej tyre ishte një grua shtatzënë. Kapitenja Hoti ishte gati gjatë tërë natës në vendin e ngjarjes.
Në vitin 2014 ajo rikujton një ngjarjet tjetër tragjike, kur qentë endacak kanë mbytur një fëmijë të moshës 7 vjeçare.
Kapitenja Hoti flet edhe për familjen e saj. Thotë se ajo mundohet ta balancoj me punën dhe ti përkushtohet edhe familjes edhe profesionit.
“Në shtëpi jam nënë, bashkëshorte, kuzhiniere, mësuese, etj”,është shprehur ajo. Hoti thotë se edhe pas shkuarjes në shtëpi, atë e presin detyra dhe obligime të shumta familjare.
Ajo gjithashtu tregon se vështirësi tjetër është me kënd t’i lë fëmijët kur janë të vegjël pasi që pasdite nuk punon çerdhja. Bashkëshorti i saj është po ashtu në punë.
“Gjatë karrierës sime kam pasur shumë raste kur fëmijët e mi i kam lënë të sëmurë, me temperaturë dhe grip, ndërsa mua më është dashur të dal në punë dhe të punoj me orar të zgjatur”, ka thënë Hoti.
Në raste normale dita e kapitenes Hoti përfundon me kontrollimin e detyrave të djalit të saj, Diarit, i cili vijon mësimet në klasën e katërt të shkollës fillore.
Po si duket një ditë tipike në jetën e kapitenes Vjollaca Hoti? Ajo fillon me zgjimin në ora 6:30, përgatitjen e vajzës për shkollë, përgatitjen për punë, në ora 8:00 fillimi i punës, leximi dhe analiza e rasteve në 24 orëshin e fundit, në 8:20 raportimi te eprori në Drejtorinë Rajonale të Policisë për Prishtinën. Në 8:30 takimi i mëngjesit me eproret e Stacionit Policor Fushë Kosovë dhe ndarja e prioriteteve. Pastaj ajo bën leximin e postës elektronike dhe shpërndarjes së saj.
Takimet me palë, zakonisht nëse ka mundësi ajo i cakton paradite, mirëpo kjo varet gjithnjë nga agjenda dhe nevojat operacionale.
Orari i punës në policinë e Kosovës jo rrallë herë është i tej zgjatur, ku policët punojnë më shumë se tetë orë. Po ashtu sa herë raportohen rastet e renda, komandanti i stacionit del në vend ngjarjeje, pavarësisht kohës se kur ndodhin këto raste.
Hoti tregon se policët shpesh herë nuk janë pjesë e festave shtetërore e as festave kombëtare e familjare, sepse ata i thërret detyra.
/Vesa Prapashtica – Vajzat Ngrisin Zërin/