Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me DVV International në Kosovë, Agjencinë e Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe Arsimit për të Rritur, si dhe organizatat tjera anëtare të Rrjetit të Arsimimit të të Rriturve në Kosovë, organizuan konferencën “Roli i Arsimimit të të Rriturve në Kosovë dhe Dyer të Hapura për Arsimimin e të Rriturve në Kosovë” .
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka uruar që kjo konferencë të ketë sukses dhe të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e arsimimit të të rriturve dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë në avancimin e këtij segmenti të rëndësishëm për arsimin në Kosovë.
Ministrja Nagavci theksoi se, ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur gjatë dy-tre vjetëve të fundit sa i përket zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe rrethanave socio-ekonomike kanë atakuar të rriturit dhe kanë dëshmuar se informimi dhe ofrimi i arsimit për të rritur është shumë i nevojshëm.
Nagavci po ashtu ka rikujtuar se, në Strategjinë e Arsimit 2022-2026 për herë të parë MAShTI ka planifikuar edhe subvencione për ofruesit e ARr, hapjen e dy qendrave për arsimin e të rriturve në dy Institucione të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Universitetin e Prishtinës dhe Komunën e Prishtinës pritet që të themelohen dy qendra për të rritur edhe në nivelin universitar.
Ndryshe, MAShTI bazuar në legjislacionin në fuqi ofron arsim për të rritur në të gjitha nivelet e arsimit, duke filluar nga ai fillor, i mesëm i ulët, i mesëm dhe arsimi i lartë.
Po ashtu, MAShTI me mbështetjen e DVV Internacional, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe me qëllim të përmirësimit të cilësisë dhe rritjes së përfshirjes në arsimin e të rriturve, ka themeluar Rrjetin jo formal të Arsimimit për të Rritur në Kosovë, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.