Gjakova që dikur ishte qendër e rëndësishme industriale e Kosovës, me shkallë të lartë punësimi, me fabrika të shumta prodhimet e të cilave eksportoheshin edhe jashtë Kosovës, sot është një nga qytetet me ekonominë më pak të zhvilluar dhe me papunësi shumë të lartë.
Pothuajse të gjitha fabrikat që kanë funksionuar në kohën e ish-Jugosllavisë janë pasive në kohën e pasluftës. Kjo po ndikon shumë në pakënaqësinë e banorëve të kësaj komune ku siç thonë qytetarët “kur kanë qenë fabrikat, në çdo shtëpi kanë qenë të paktën dy të punësuar”. Në ditët e sotme, ekonomia gjakovar gjallëron me bizneset e vogla që janë burimi kryesor i të ardhurave për qytetarët e Komunës së Gjakovës.
Probleme të shumta për gjetjen e një vendi të punës hasin sidomos të rinjtë në këtë komunë. Ata ndihen të brengosur pasiqë mundësia më e shpeshtë që iu ofrohet është puna e kamarierit, pavarësisht faktit që shumë prej këtyre të rinjve kanë kualifikime shumë më të larta. Po ashtu, pagat që iu ofrohen kamarierëve janë shumë te vogla sidomos kur marrim parasysh orarin e gjatë të punës të cilit duhet t’iu përmbahen.
Një nga të intervistuarit tanë që punon si kamarier në një nga zonat më të frekuentuara në Gjakovë shprehet i pakënaqur duke thënë se paga që i ofrohet është 8 euro në ditë me një orar prej 9 orësh. I pyetur se çfarë e shtyn që të punojë si kamarier dhe se a është i kënaqur më kushtet e punës që i ofrohen, ai thotë:
”Fakti që nuk ka vende tjera të lira pune si dhe nuk kam ndonjë zanat tjetër më shtyn ta punoj këtë punë. Nuk jam i kënaqur me kushtet për punë pasiqë nuk janë të mjaftueshme dhe ne punojmë pa pushim dhe pa sigurim të punës kështu që nuk kemi kurrfarë kushte për te qenë të kënaqur me punën tonë”, thotë ky kamarier që nuk preferon të identifikohet.
Probleme të tilla hasin edhe studentë të cilëve iu duhet të gjejnë një mënyrë për të vetëfinancuar studimet e tyre.
Një bashkëbisedues tjetër, i cili është në përfundim të studimeve në fushën e agro-ekonomisë, tregon se iu është dashur të punojë si kamarier në mënyrë që të mund të përfundojë studimet, kurse ka pasur raste kur paga që i është ofruar ka qenë 180 euro në muaj.
Ai tanimë nuk bën punën e kamarierit pasiqë më në fund ka gjetur një punë me më shumë perspektivë jashtë Gjakovës, porse potencon se në punën e kamarierit je çdo herë i nënçmuar nga të tjerët.
Gjithsesi, raste më të lehta duket të kenë ata që si kamarierë punojnë në lokalet e të afërmëve te tyre. Një bashkëbisedues, që po ashtu nuk preferon ta zbulojë identitetin, punon në lokalin e dhëndrit të shtëpisë. Ai thotë se e bënë këtë punë me dëshirë pasiqë është i kënaqur me pagën që realizon, pasi paguhet 7 euro në ditë dhe punon pesë ditë në javë nga 8 orë, kurse një ditë në javë 4 orë.
Ai gjithashtu shprehet i kënaqur më kushtet e punës që i ofrohen, por e pranon se këto kushte nuk i kanë edhe punëtorët e tjerë ne lokal pasiqë nuk janë familjarë me pronarin.
Të gjitha të dhënat tregojnë se gjetja e një vendi të punës që përputhet me kualifikmet e fituara mbetet një sfidë jo vetëm për qytetarët e kësaj komune dhe veçmas për të rinjtë, shumica e të cilëve ende mbajnë shpresën që qeverisja lokale do punojë në hapjen e mundësive të reja për punësim.
/Elda Azemi – Vajzat Ngrisin Zërin/