Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka pritur sot në takim njoftues drejtorin e ri të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Kosovë, Rinor Gjonbalaj. Po ashtu, Murati përshëndeti drejtoreshën e deritanishme Sarah Olmstead, të cilën e uroi për përfundimin e suksesshëm të misionit të saj shumë-vjeçar në Kosovë.
Përgjatë takimit u diskutua lidhur me rrjedhën e projektit për bateri. Me këtë rast Ministri u njoftua që shumë shpejt do të fillojë dizajnimi detaj i projektit, i cili shënon edhe hapjen e rrugës drejt realizim të projektit.
Delegacioni i MCC-së falenderoi ministrin Murati dhe sekretarin Spahiu për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Programit Kompakt, me theks të veçantë angazhimin e personelit të Ministrisë në zbatimin e projektit.
Me këtë rast, ministri Murati theksoi se ministria që ai drejton mbetet e përkushtuar në mbështetjen e projektit Kompakt, i cili është i një rëndësie tejet të veçantë për qëndrueshmërinë e sektorit energjetik në vend, veçanërisht në diversifikimin e burimeve energjetike.
Programi Kompakt zbatohet në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit dhe kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë amerikan, thuhet në komunikatën për media e MF-së.