Në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje!, sekretari organizativ, Alim Rama dhe sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku mirëpritën në takim drejtorin e FES për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, René Schlee.
Gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi i mirë mes LV dhe FES ndër vite. U dakordua për koordinimin e bashkëpunimit për vitin 2023, me theks të veçantë në fuqizimin e kapaciteteve organizative, politikën publike dhe qeverisjen lokale. Bashkëpunimi në mes LV dhe Partisë Social Demokrate të Gjermanisë do të jetë një nga objektivat kryesore gjatë këtij viti në kuadër të rritjes së koordinimit me familjen Social Demokrate në BE dhe në botë.
Veç tjerash në këtë takim u ritheksua qëndrimi i LV kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike.
Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, brenda kornizave ligjore/kushtetuese, thanë përfaqësuesit e LV gjatë takimit.
Ata ftuan FES që të bëjnë një studim krahasimor për respektimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë dhe në vendet e tjera përfshirë Serbinë, thuhet në postimin në Facebook të LVV-së.