Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas një hetimi preliminar të zhvilluar nga Njësia e Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Rahovec, lidhur me informatën e pranuar se i dyshuari Z. M., i lindur në vitin 1987, shtetas i Republikës së Kosovës, posedonte armë në mënyrë të paautorizuar, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, është kryer kontroll në vendbanimin e tij në fshatin Dejnë-Rahovec.
Gjatë kontrollit në posedim të të dyshuarit janë gjetur dhe janë sekuestruar:
- Një pushkë gjysmë automatike,
- Një pushkë automatike,
- Një mitraloz si dhe
- 130 copë fishekë të llojeve të ndryshme dhe 26 gëzhoja.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë, dhe ndaj tij është iniciuar rast “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.