Filharmonia e Kosovës ka mbajtur koncertin e radhës në Prishtinë. Koncert ky që ishte i konceptuar me vepra muzikore të mirënjohura dhe përmes interpretimit plot mjeshtëri u sollën tinguj e melodi që rrëmbyen gjithë vëmendjen e të pranishmëve.
Premiera botërore ‘Koncert për kitarë’ e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, në interpretim të kitaristit Petrit Çeku dhe në drejtimin e dirigjentit izraelito-gjerman Maayan Franco, ishte risi për publikun.
Në interpretim të Çekut u luajt edhe ‘Koncerti i Aranjuezit’ nga Joaquin Rodrigo teksa mbrëmjen e përmbylli një nga veprat më të dashura orkestrale në botë, Simfonia e 9-të (Nga Bota e Re) e kompozitorit çek Antonín Dvorak.
Më 16 shkurt, në Sallën AMC, në kuadër të manifestimeve për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, do të mund ta ndiqni koncertin e radhës të Filharmonisë së Kosovës, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.