Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, ministra dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë bërë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, sot në 26 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
“26 vjet më parë që prej se lajmëtarët e lirisë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha e fituan përjetësinë duke u bërë heronjtë e Kosovës dhe frymëzuesit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se ata mbrojtën dinjitetin, kthyen shpresën, i dhanë shtytje realizimit të idealit të brezave për liri dhe pavarësi, thuhet në faqen zyrtare të Presidentes së Kosovës.
“Ata mbrojtën dinjitetin, kthyen shpresën, i dhanë shtytje realizimit të idealit të brezave për liri dhe pavarësi, ndaj do të kujtohen çdoherë me nder e respekt. Emrat e tyre do të jenë gjithnjë në zemrën dhe kujtesën e secilit”, ka theksuar presidentja Osmani.