Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti në takim ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Në këtë takim u bisedua lidhur me tema të ndryshme me interes për të dy palët, me theks të veçantë në zgjerimin e bashkëpunimit bilateral në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ministri Mehaj me këtë rast shprehu interesimin për mundësinë shkëmbimit të përvojave në mes të dy ministrive të mbrojtjes si në zhvillimin e kurseve dhe trajnimeve ushtarake në kushte dimërore për pjesëtarët e FSK-së në Finlandë.
Po ashtu, Ministri Mehaj i ofroi Ambasadorit Nissinen mundësinë e ofrimit të trajnimeve në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit në Kërkim-Shpëtim për pjesëtarët e ushtrisë finlandeze.
Nga ana e tij, duke vlerësuar lartë procesin e zhvillimit dhe avancimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, Ambasadori Nissinen shprehu vullnetin e tij dhe shtetit finlandez për fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mbështetjen e plotë në proceset integruese euro-atlantike, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.