Pesëmbëdhjetë vajza të grupmoshës 18-30 vjeç nga Komuna e Skenderajt dhe fshatrat përreth janë përfituese të një trajnimi, i cili u ofrua nga organizata Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatar – PEN, ndërsa u mbështet nga Departamenti Amerikan i Shtetit
Ky trajnim organizohet në kuadër të projektit “Të veprojmë për barazi” që synon rritjen e numrit të grave në udhëheqje dhe vendimmarrje lokale. Trajnimi organizohet nga organizata PEN dhe Komuna e Skenderajt, për çka është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi.
Këto vajza që vinin kryesisht nga zona rurale pas këtij trajnimi u certifikuan dhe u përgatitën të realizojnë aktivitete me të rinj e të reja, të jenë pjesë e vendimmarrjes lokale dhe të jenë vetë agjentë ndryshimi në komunat e tyre.
Temat kyçe të cilat u diskutuan gjatë këtij trajnimi ishin barazia gjinore, lidershipi i grave, ngacmimi seksual, mungesa e njohurisë mbi të drejtat e grave dhe diferenca në mes barazisë dhe drejtësisë gjinore.
“Një program i llojit të tillë ka qenë me të vërtetë i nevojshëm sidomos në një komunë si Skenderaj ku roli i gruas në vendimmarrje lokale është mjaft i zbehur. Aktualisht vetëm 17% e grave, sa e përbëjnë kuotën e të punësuarave në komunë, mund të ngrisin zërin në nivelin lokal, sepse nga 215 të punësuar sa ka gjithsej Komuna e Skenderajt, 178 janë meshkuj dhe vetëm 37 gra.
Është e trishtë të mendosh se ende ka gra që janë të mësuara me faktin se përkasin gjinisë që duhet të jenë vetëm në shtëpi dhe nuk janë në dijeni për mënyrat se si mund të aftësohen e të ngriten profesionalisht”,thotë për KosovaLive Erzë Koca, pjesëmarrëse në projekt.
Sipas memorandumit të nënshkruar në mes PEN-it dhe Komunës së Skenderajt, pjesëmarrëset në këtë projekt do të kenë mundësi të jenë mentore për vajzat dhe djemtë e rinj në Skenderaj, të organizojnë aktivitete me porosi kundër dhunës dhe për një shoqëri të shëndoshë e të barabartë. Gjithashtu, këto 15 vajza do të inkurajohen dhe mbështeten të jenë pjesë e këshillave lokale.
“Të jesh në mesin e disa vajzave aq të motivuara për ndryshime, më ka inspiruar të merrem aktivisht me problemet të cilat i hasin rinia e sidomos vajzat e reja në zona rurale. Uroj që ky memorandum bashkëpunimi të sjell edhe shumë konferenca, aktivitete e trajnime të llojit të tillë. Do të doja të shoh më shumë vajza të entuziazmuara për përfshirje në vendimmarrje lokale”, shton Koca.
/Gresë Koca-Vajzat ndrisin zërin/