Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizituan sot Fabrikën e këpucëve “në Ferizaj, mbështetur nga Qeveria nëpërmjet masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Kryeministri falënderoi prodhuesin vendor ‘’Hit Shoes’’ për zellin që të kontribuojë në ekonominë e Kosovës, me prodhimtari, eksporte edhe me punësim të popullsisë sonë. Ai u njoftua nga Xhevat Gashi për prodhimtarinë e kësaj fabrike e cila ka shënuar suksese sidomos në vitet e fundit.
U vlerësua mbështetja prej rreth 70 mijë eurosh nga masa 2.1 e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, që ka ndihmuar që kjo ndërmarrje të jetë e suksesshme.
‘’Shumë fabrika të vogla e bëjnë të madhe ekonominë e Republikës së Kosovës, dhe si qeveri, unë si Kryeministër e Ministri i Financave natyrisht se do jemi gjithmonë pranë prodhuesve tanë të cilët në këtë mënyrë edhe po e përmirësojnë imazhin e Kosovës, sepse cilësia e prodhimeve të tyre është e garantuar’’, është shprehur ai.
Kryeministri vlerësoi faktin që kjo kompani ka shkuar edhe në panaire ndërkombëtare, përfshirë atë në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Garda të Italisë, që është panairi më prestigjioz sa i përket këpucëve dhe mbathjeve në përgjithësi, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve z. Hekuran Murati erdhëm këtu tek fabrika ‘’Hit Shoes’’ me ç’rast na priti pronari Xhevat Gashi, i cili njëkohësisht edhe na tregoi për prodhimtarinë e kësaj fabrike e cila ka shënuar suksese sidomos në vitet e fundit.
Aktualisht 56 për qind të prodhimit të nallaneve, që është një brend i patentuar tashmë nga pronari, shkon për eksport. Lëndën e parë e marrin nga Italia edhe nga Gjermania dhe eksportojnë prodhimet e Kosovës me ç’rast numri i punëtorëve është ndërmjet 50 dhe 60. Ne e pamë dhe zingjirin e prodhimit në të gjitha hallkat e tij, por gjithashtu edhe e falënderuam pronarin për zellin e tij që të kontribuojë në ekonominë e Kosovës edhe me prodhimtari e eksporte edhe me punësim të popullsisë sonë.
Nga masa 2.1 e Pakos së Ringjalljes Ekonomike ka pasur mbështetje prej rreth 70 mijë euro dhe natyrisht që kjo ka ndihmuar që ky biznes të jetë i suksesshëm.
Shumë fabrika të vogla e bëjnë të madhe ekonominë e Republikës së Kosovës dhe si qeveri, unë si kryeministër e ministri i Financave natyrisht se do jemi gjithmonë pranë prodhuesve tanë të cilët në këtë mënyrë edhe po e përmirësojnë imazhin e Kosovës sepse cilësia e prodhimeve të tyre është e garantuar. Pantoflat se si punohet prej lëndës së parë e deri tek prodhimi final i pamë te makinat që janë italiane e turke. U gëzova shumë kur mora vesh se kanë shkuar edhe në panaire ndërkombëtare, ku janë pranuar prej panairit në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe deri tek panairi në Garda të Italisë, që është panairi më prestigjioz sa i përket këpucëve dhe mbathjeve në përgjithësi.