Gjatë ditës së dytë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi kongresistët amerikanë, Mike Turner, Michael McCaul, Jake Ellzey, Rich McCormick dhe Darrell Issa.
Ai i njoftoi kongresistët me punën e Qeverisë dhe planet përpara, arritjet më të shënuara në sundimin e ligjit dhe progresin në rrafshin ekonomik.
Diskutuan për implikimet që ka pasur dhe rreziqet që vazhdon t’i paraqes invazioni dhe agresioni Rus në Ukrainë për kontinentin, në veçanti për Ballkanin Perëndimor. Kryeministri theksoi që reagimi dhe rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dënimin dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë ka qenë i menjëhershëm.
Kongresistët shprehën interesim për procesin e dialogut në Bruksel dhe propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri ndau me ta qëndrimet e Qeverisë, duke theksuar që ai e konsideron të pranueshëm propozimin evropian si bazë të mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.