Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandantin e FSK-së, Bekim Jashari, shoqëruar dhe nga Ambasadori i Republikës së Turqisë, Sabri Tunç Angılı, ka pritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët sonte janë kthyer nga misioni i kërkim-shpëtimit, pas tërmetit që goditi Turqinë.
Me t’u kthyer në Kosovë, 39 ushtarët janë falënderuar përzemërsisht nga kryeministri Kurti, për angazhimin, sakrificën dhe trimërinë e treguar atje.
Ushtarët u mirëpritën dhe u nderuan me medalje si dëshmi e vëmendjes dhe e mirënjohjes sonë për guximin e treguar në Republikën e Turqisë pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës.
“Është obligim i yni humanitar, por në të njëjtën kohë është edhe detyrë e jona si partner, si aleatë dhe si shtet e popull mik i Republikës së Turqisë që t’ju gjendemi atyre në ndihmë në këto ditë të vështira dhe kjo u realizua pikërisht nëpërmjet jush të cilët pa humbur kohë u nisët brenda disa orëve për Turqi dhe më pastaj qëndruat deri më tani duke u përpjekur me krejt çfarë mundeni edhe dini që të shpëtoni jetë, të nxjerrni njerëzit nga rrënojat”, tha kryeministri Kurti.
Duke kujtuar se falë ndihmës së FSK-së janë shpëtuar së paku katër jetë në Hatay, kryeministri falënderoi edhe Republikën e Turqisë për pritjen që ua kanë bërë atje dhe njëkohësisht për ndihmën teknike, logjistike që ua kanë ofruar pjesëtarëve të FSK-së.
Një kontingjent i pjesëtarëve të FSK-së, të përbërë nga specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9, më 6 shkurt, ishin nisur për në Hatay të Turqisë, për t’i dalë në ndihmë popullit turk dhe institucioneve turke, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Bashkë me Komandantin tuaj e tonë, Bashkim Jasharin, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe me Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, i cili ka marrë detyrën në javën që shkoj, ambasadori i ri, i shoqëruar edhe nga zyrtarë të tjerë të Ambasadës, por njëkohësisht edhe nga përfaqësues të Ministrisë të Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, kemi dal këtu që t’ju dëshirojmë mirëseardhje dhe t’ju falënderojmë nga zemra për punën dhe guximin.
Andaj, këto medalje të merituara janë dëshmi e vëmendjes tonë, dëshmi e mirënjohjes sonë për guximin e treguar në Republikën e Turqisë pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës.
E di që 39 pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës ishin në Hatay dhe në zonat atje që u goditën nga tërmeti dhe me këtë rast i falënderoj sikurse ata të cilët ishin të kërkim-shpëtimit urban, po ashtu edhe mjekët, po ashtu edhe ata të cilët u kujdesën për ata të plagosurit.
E dimë më që së paku katër jetë janë të shpëtuara nga ana juaj, por janë edhe mbi 50 kufoma të nxjerra nga rrënojat në Hatay. Është obligim i yni humanitar, por në të njëjtën kohë është edhe detyrë e jona si partner, si aleatë dhe si shtet e popull mik i Republikës së Turqisë që t’ju gjendemi atyre në ndihmë në këto ditë të vështira dhe kjo u realizua pikërisht nëpërmjet jush, të cilët pa humbur kohë u nisët brenda disa orëve për Turqi dhe më pastaj qëndruat deri më tani duke u përpjekur me krejt çfarë mundeni edhe dini që të shpëtoni jetë, të nxjerrni njerëzit nga rrënojat. Fatkeqësisht në shumicën e rasteve ata të vdekur, por njëkohësisht edhe të kujdeseni për ata të cilët ishin në nevojë.
Me këtë rast e falënderoj edhe njëherë Republikën e Turqisë për pritjen që ua kanë bërë atje dhe njëkohësisht për ndihmën teknike, logjistike që ua kanë ofruar juve dhe me këtë rast padyshim që populli i Kosovës, Republika jonë vetëm sa i ka forcuar edhe më tej lidhjet e saj me popullin dhe Republikën e Turqisë.
Ju faleminderit edhe njëherë dhe përgëzime të përzemërta për angazhimin, sakrificën dhe trimërinë e treguar atje.