Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë mirënjohje “për kontribut të shquar dhe humanizmin e pashoq të treguar gjatë pandemisë COVID- 19”, duke vlerësuar lartë ShSKUK-në, për meritat në menaxhim të suksesshëm të punës gjatë Pandemisë.
Profesionalizmi dhe sakrifica e mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve mbështetës, deri në rrezikim të jetës dhe shëndetit personal, bëri që Pandemia e Covid-19, të menaxhohet me sukses nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Me rastin e vlerësimit dhe pranimit të mirënjohës nga Presidentja, ShSKUK përkujton mjekët dhe infermierët që gjatë kujdesit për pacientë u infektuan me Covid-19, nuk kursyen as jetën e tyre, duke u flijuar për të ofruar shërbime shëndetësore për pacientët e infektuar, thuhet në postimin në Facebook të ShSKUK-së.