Kosova Judo Federation njofton se ceremonia e promovimit të librit “Kryemjeshtri”, kushtuar Driton Kukës, ishte një ngjarje emocionuese dhe e fuqishme që festoi suksesin e trajnerit shumë të vlerësuar shqiptar. Gjatë gjithë karrierës së tij, Kuka ka qenë dhe është i rëndësishëm në ngritjen e profilit të Kosovës në botën e xhudos, duke sjellë medalje të shumta olimpike dhe botërore, u tha ndër të tjera nga folësit në promovimin e librit.
Fjalë rasti në ceremoni kishim nga nikoqiri i ngjarjes Agron Kuka – President i Federatës së Xhudos, Hajrulla Çeku, ministri i Kulturë, Rinisë dhe Sportit, dhe Ismet Krasniqi, President i Komitetit Olimpik të Kosovës, ndërsa të pranishim ishin akterë të ndryshëm nga skena politike, dhe ajo e sportit, si dhe mbështetës/e dhe sportdashës/e, të cilët/cilat u mblodhën për të nderuar arritjet e jashtëzakonshme të Kukës.
Autori, Arsim Maxhera, bëri një pasqyrë të detajuar dhe bindëse të karrierës së Kukës, duke theksuar përkushtimin e palëkundur të trajnerit ndaj xhudisteve/xhudistëve të tij dhe aftësinë e tij të pashoqe për të nxjerrë më të mirën në to/ta. Vetë Kuka u prek thellë nga mbështetja, duke shprehur mirënjohjen e tij për ekipin e tij dhe të gjithë ata/ato që kanë kontribuar në suksesin e tij.
Ceremonia ishte një dëshmi e fuqisë së sportit për të bashkuar njerëz, dhe libri “Kryemjeshtri” do të qëndrojë si një testament i trashëgimisë së jashtëzakonshme të Kukës. Arritjet e tij jo vetëm që i kanë sjellë lavdi Kosovës por kanë frymëzuar edhe të rinj/reja të panumërt/a që të merren me sportin e xhudos dhe ndikimi i tij padyshim do të ndihet edhe për shumë vite në vijim, thuhet në postimin në Facebook të Kosova Judo Federation.
“Jam mirënjohës Arsimit për punën e tij deri në botimin e librit për rrugëtimin drejt të artave Olimpike,Botërore e Evropiane!
Faleminderit të gjthë ju që sot ishit prezent në Ceremoninë e promovimit të librit “ Kryemjeshtri”
Më keni nderuar she ndjehem i vlerêsuar nga ju dhe të gjithë miqtë e dashamirët e sukseseve tona!
Ndjehem krenar që sot populli Shqiptar ka Kampionë Olimpik e Botëror të ndërtuar nga puna ime si trener!
Puna do vazhdoj tutje për të rritur e forcuar Shtetin tonë të ri”, ka thënë Kuka.